Kastrioti fiton finalen e mbijetesës, heroi është Ymeraj

17 Shkurt 2019
15:57
Eraldo Harlicaj
back button

Kastrioti fiton finalen e mbjetesës kundër Kamzës me rezultatin 0-1. Ekipi krutan ka fituar në sajë të golit të vonë të mesfushorit Ersil Ymeraj. Shkodrani realizoi në minutën e 93' të sfidës duke i dhënë ekipit të tij 3 pikë të arta në luftën për mbijetesë. 

Takimi i luajtur në stadiumin e Kamzës ishte i një niveli nënmesatar me të dy ekipet që u munduan më shumë të mbroheshin. Të dy trajnerët kishin rreshtuar skuadrat e tyre në mbrojtje dhe me idenë e qartë për të mos prishur ekuilibrat në fushë. As Gjoka e as Devolli nuk donin që ekipi të kalonte në aventurë dhe të bënte gjithçka për të fituar takimin. 

Avdyli dhe Çekrezi qëndruan shumë të qetë përgjatë 90 minutave, pasi rastet e pastra për shpëtim munguan. Duelet ishin më të forta në mesfushë dhe pas zëvendësimeve të kryera nuk ndryshoi asgjë në lojën e ekipeve. Atëherë kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në paqe është Kastrioti që gjen golin e avantazhit me anë të Ymerajt në minutën e fundit të shtesës. Kastrioti kalon Kamzën në renditjen e përgjithshme, pasi kalon në kuotën e 19 pikëve dhe tashmë e sheh veten 2 pikë larg nga Luftëtari i vendit të 7. 

 

                                                             KAMZA – KASTRIOTI   0-1
                                                                   Shënues: Ymeraj 93'

Kamza: Avdyli, Shala, Qaqi, Beqiri, Bonani, Rezi (Mumajesi 82′), Arrabal (Mehmeti 70′), Malaj (Orelesi 75′), Fukui, Plaku, Martinena. (Në dispozicion: Selaci, Bitri, Orelesi, Zisi, Mehmeti, Mumajesi, Peçi) Trajner: Ernest Gjoka

Kastrioti: Çekrezi, Husein, Shehi (Selmani 77′), Çela, Ndreca, Shehu, Ymeraj, Kalaja, Roxher, Bardhi (Neziri 90′), Vatnikaj (Okebugu 65′). (Në dispozicion: Puja, Selmani, Bojom, Okebugu, Neziri, Fejzaj. T. Marku). Trajner: Bledar Devolli

Gjyqtarë: Andi Koçi, Fatmir Lamaj, Mateo Sadikaj, Emirion Sino
Kartonë të verdhë: Arabal 29′, Beqiri 70’ / Husein 52′

Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Arjan Mali

Lajme të tjera

Lajmet e fundit