KATASTROFË TIRANA, mungesa e një lideri, merkatoja dhe… tifozët!

13 Maj 2019
10:31
Eraldo Harlicaj
back button

"Duhet të përmirësojmë gabimet e vogla në mbrojtje, skuadra ka mungesë përqëndrimi, duhet të jemi më të përqëndruar", – kjo ishte fjalia e trajnerit Ardian Mema para ndeshjes me Partizanin. Tekniku duket se e parandjeu disfatën me "Demat e Kuq" pikërisht nga gabimet e mbrojtjes së tij dhe portierit. Dy golat e shënuar nga Çinari, pa hequr vlerat individuale të shkodranit dhe meritat e Partizanit, ishin dhuratë e Tiranës. 

Hapësira të shumta në momentin që shkodrani goditi në golin e parë me Abibin e fjetur, ndërsa në golin e dytë… çfarë të thuash?! Mbrojtja dhe portieri me pushime! Tirana rrezikon shumë tashmë, rrezikon shumë, pasi Kastrioti i vrullshëm është vetëm dy pikë larg, ndërsa kanë finalen në "Selman Stërmasi" në një takim direkt mes tyre në javën tjetër. Çmenduri! 

Një ekip i projektuar për Kupat e Europës, i shpenzuar sa për Kupat e Europës arrin në këtë pikë sa të diskutojë sërish rënien nga Kategoria Superiore. Presidenti Refik Halili tha pas ndeshjes se gjyqtarët i kanë dëmtuar dhe i kanë hequr 20 pikë, mbase numri një i klubit e sheh me ndonjë optikë tjetër, pasi në derbi gjykimi ishte i barabartë, ose anoi pak nga bardheblutë. Deklaratat e pasndeshjeve janë në gjaknxehtësi e sipër, kuptohet.  

LIDERI – Kjo Tiranë nuk ka lider! Bardheblutë vuajnë, pasi ndjejnë mungesën e një lideri në fushën e lojës. U mundua ta bënte Hasanin, por bardheblutë janë një ambient i vështirë. Kapiteni Erando Karabeci duhet të jetë i tillë, por ka kaluar një sezon të vështirë që nga problemet me trajnerin Ze Maria e deri tani me dëmtime. Ilion Lika është ulur në pankinë nga Abibi, ndërsa nuk mund të pretendohet që lojtarët e huaj të marrin ekipin. 

MERKATOJA – Trajneri Ardian Mema nuk ndërhyri në merkaton e janarit me një arsyetim të drejtë: "Nuk doja të merrja lojtarë sa për numër". Logjikë e drejtë, por në një mbrojtje që fut ujë nga të gjitha anët, a nuk mund të riparohej diçka?! Një tjetër pikë që mund t'i kthehet si bumerang.  

TIFOZËT – Tirana është vetëm! Problematikat me tifozët janë të thella dhe që pas rënies nga Superiorja dhe pranimit që Partizani të luante në "Selman Stërmasi", klubi dhe "Tirona Fanatics" janë si dy vija paralele, pa pikë takimi. Moment që nuk e ndihmon aspak ekipin, pasi skuadra ka më shumë se kurrë nevojë për mbështetje. Askush nuk e vë në diskutim dashurinë e tifozëve për klubin, pasi drejtuesit, lojtarët dhe trajnerët do ikin, ndërsa ata do të jenë aty në mbështetje të Tiranës, por a duhet të lënë ekipin vetëm në ndeshje si derbi?! Vlen për t'u diskutuar…

BUXHETI – Tirana është një ndër klubet që paguan më mirë në Shqipëri. Futbollistët e bardhebluve mund të jenë më të paguar edhe se kampionët e Partizanit, ndërsa rezultatet janë tmerrësisht shumë larg. Forma e tyre sportive dhe kontributi që kanë dhënë nuk e justifikon në një pjesë të mirë pagesën që marrin në klub. Mbase është momenti që bardheblutë të shtrëngojnë rripin dhe t'u kërkojnë më shumë llogari futbollistëve.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit