Kategoria Superiore 2019/2020: skuadrat pjesëmarrëse dhe pikëpyetjet

3 Qershor 2019
16:20
back button

Me finalen e Kupës së Shqipërisë, fituar nga Kukësi, është mbyllur sezoni 2018/19 dhe sot kanë ardhur edhe verdiktet për sa u përket klubeve që licencohen për pjesëmarrje në kupat e Europës. Partizani, Kukësi, Teuta dhe njëra mesa Laçit e Skënderbeut do marrin pjesë në kupat e Europës këtë verë, ndërkohë që në ndryshim nga sezoni i shkuar, nuk ekzistojnë më problemet e shumta me infrastrukturën për disa klube. Gjithsesi, ka pikëpyetje në aspektin financiar.

Kjo është lista e plotë e klubeve pjesëmarrëse: Partizani, Kukësi, Teuta, Skënderbeu, Flamurtari, Laçi, Luftëtari, Tirana, Bylis, Vllaznia.

Të gjitha klubet e mësipërme kanë stadium të licencuar, sepse Partizani do të vijojë të luajë në "Selman Stërmasi" dhe Kukësi ka regjistruar stadiumin e Kamzës për të gjitha ndeshjet shtëpiake, përtej problemeve që mbart ai stadium, dukshëm inferior ndaj stadiumeve të tjera në Superiore.

Pikëpyetja më e madhe lidhet me Flamurtarin, që është në një moment shumë shqetësues, me lojtarët dhe stafin që kanë marrë vetëm 30% të pagave në fillim të sezonit dhe më pas asgjë. Gjyqet e së shkuarës janë arsyeja e përjashtimit nga kupat e Europës, sepse në këtë moment që flasim Flamurtari duhej të ishte në Europa League, nëse konfirmohet përjashtimi i Skënderbeut. Nëse gjithë lojtarët shkojnë në FSHF këto ditë dhe dorëzojnë padi për pagat e prapambetura, nuk dihet kush do t'i shlyejë dhe si do të regjistrohet Flamurtari për sezonin e ardhshëm.

Kategoria e Parë, ndërkohë, do të vijojë me 20 ekipe, me dy grupe me nga 10 ekipe, por po diskutohet ende për skemën e re, sepse synimi është "krasitja" dhe ulja në 18 ekipe.

Ja lista e klubeve të Kategorisë së Parë 2019/2020 (ndarja do të vendoset pas disa javësh, nuk ekziston asnjë kriter i veçantë përveç atij gjeografik): Kastrioti, Erzeni, Besëlidhja, Dinamo, Korabi, Veleçiku, Burreli, Shënkolli, Iliria, Besa, Egnatia, Lushnja, Oriku, Pogradeci, Apolonia, Elbasani, Turbina, Tërbuni, Devolli, Shkumbini.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit