Katër “profesorët” e Setién zbulojnë anët e panjohura të trajnerit të Barçës

18 Janar 2020
13:34
Alfred Lleshi
back button

“Ai erdhi në stërvitje me qenin e tij, e lidhi atë në anën e fushës në Las Gaunas dhe portierët e vëzhguan me kujdes nëse kafsha besnike dëshironte të bënte diçka…” Kështu shprehet David Vidal, trajneri i Logroñés, i atyre ditëve të viteve ’90, teksa kujton një nga ndodhitë me Quique Setién (Santander, 1958), trajneri i ri i Barçës. Vidal, Irureta, Lotina dhe Vicente Miera e drejtuan Setien si futbollist dhe tashmë i bëjnë “radiografinë”.

Vidal e drejtoi te Logroñés në vitet 1990-1992. Atje e kujton kështu Setien: “Ishte një futbollist i mrekullueshëm. Ai luante si një mesfushor ofensiv dhe jepte pasime vdekjeprurëse. Isco, Modric apo Xavi janë të talentuar, gjithçka që Setién kishte në rininë e tij. Ai, gjithashtu, godiste me kokë shumë mirë. Ishte triumfues në ajër, shumë i guximshëm”. Me Javier Irureta përkoi në periudhën 1988-1989 te Logroñés dhe më 1993-1994 te Racing. Ai kujton: “Setien jetonte tërësisht me futbolln. Te Racing tregoi shumë personalitet, ishte kapiten. Ai luante shumë mirë, sidomos me kokë. Ishte një lider edhe jashtë fushës”.

Miguel Ángel Lotina, teknik aktual i skuadrës japoneze, Cerezo Osaka, u takua me Setien te Logroñés. Asokohe kishte rolin e zv.trajnerit: “Kishte cilësi e shtatlartësi, me një kërcim shumë të mirë. Ai ishte shumë i plotë dhe demonstronte karakter. Ishte një futbollist shumë interesant. Megjithëse ishte në ekipe të mëdha si Atlético, unë mendoj se mund të kishte qenë edhe më i rëndësishëm”. 

Vicente Miera, një nga klasikët e futbollit spanjoll, e kishte atë në skuadrën e Atlético Madridit (1986-1987) dhe Racing (1994-1995). Ai e kujton trajnerin e ri të Barçës kështu: “Një njeri i lindur për futbollin, me dëshirë të madhe. Ai ishte lojtari më i mirë që kisha. E takova fillimisht në moshën 11 apo 12-vjeçare në Santander, kur lunate në Perines dhe Kazablanca. Si fëmijë luajti mirë. Mbaj mend që impononte gjithmonë ritmin e tij. Ai nuk u lëndua kurrë, ishte shumë i qartë për të qenë dikushi në futboll. Kishte vetitë e lojtarit të mirë”.

Katër “mësuesit” e tij tregojnë arsyet pse duhet besuar te Setién si trajner. Vidal thotë: “Logjikisht, e shikoj si një trajner të mirë. Ai nuk ka frikë nga asgjë. Preferon zotërimin dhe qarkullimin e topit. Personalisht nuk më pëlqen kjo, e kam të ndaluar në ekipet e mia, por te Barça mund ta bëjë, sepse ka Messin, lojtarin më të mirë në botë. Ai ka bërë mirë në të gjitha vendet ku ka drejtuar”.
Irureta sheh diçka ndryshe tek ish-nxënësi i tij: “Zbulova se jetonte shumë me futbollin, kishte personalitet dhe pasion. Ai ishte një lojtar dhe kapiten i mirë, me karizëm, shumë i preokupuar për skuadrën. Një udhëheqës i mirë. Unë e imagjinoja që atëherë si trajner. Ai e zbërthen futbollin, ka komandë dhe flet me siguri për këtë sport”. Për Miera “u dallua në gjithçka. Që në fillim tregoi se kishte të ardhme. Tregonte shumë personalitet. Ai kishte një kokë shumë të mirë, kur godiste. Ishte e paracaktuar se do të bënte diçka të rëndësishme”.

Lotina thekson se që në atë kohë, “atij i pëlqente të fliste për futbollin me Manu Sarabia, me Abbey. Ai analizonte shumë. Djali i Sarabia, Eder, është ndihmësi i tij i zakonshëm. Përshtypja e zakonshme për Setién? Me numrin 10 në fanellë, pothuajse gjithmonë. Ishte një futbollist i fortë”. Vidal thotë se “i pëlqente të thellohej edhe më shumë se unë në konceptet e lojës. Nëse partneri në fushë humbiste një top apo dyluftim, ai zemërohej. Gjithmonë tregonte personalitet dhe karakter. Ju duhet të dini si të merreni me të”.

Lotina fotografon një tjetër nga virtytet e tij: “Setien ishte një futbollist, që i transferonte emocionet e fushës në dhomën e zhveshjes. Ai zemërohej, nëse luante keq. Një ditë hoqi fanellën, gjatë një humbjeje në shtëpi, pastaj u qetësua. Ishte një fitues i lindur. Fizikisht ishte një “kafshë”… Setien do ta shfrytëzojë këtë mundësi të shkëlqyer, edhe pse 61 vjeç. Bashkë me valixhen e tij ka marrë te Barcelona edhe përvojën e gjerë në futboll”.

Irureta analizon: “Te Barça arrin pas një udhëtimi të gjatë. Valverde u largua si trajner në vendin e parë, çka tregon se përgjegjësia është e madhe. Ai është i lidhur me “Cruyffismo”, kërkon që lojtarët të përdorin këtë stil loje. Sigurisht, te Barcelona e ka më të lehtë ta implementojë futbollin e tij, sepse do të bazohet te Messi dhe Suarez”.

Cruyff është i lidhur me Setién me mënyrën se si ndikoi në të kuptuarit e tij të futbollit. Lotina e shpjegon këtë ndikim kështu: “Barça e niste lojën nga Koeman asokohe. Në Spanjë nuk ishim mësuar me këtë. Roli i mbrojtjes ishte të pastronte topat nga zona e vet, jo të niste ndërtimin e aksioneve. Kjo gjë ndikoi në mendimin e tij për futbollin”. David Vidal shkon edhe më tej: “Setién nuk është trajner, është një mësues futbolli. Lëreni të punojë!” Irureta ia pret: “Unë mezi pres ta shoh te Barça, me siguri Real Madridi ka marrë një tronditje të vogël…” Miera e shikon si “një nënshkrim fantastik. Ekipet e tij gjithmonë tregojnë cilësi. I pëlqen ta ketë topin në zotërim”.

Lotina thotë se për shkak të “formës së lojës, që pëlqehet te Barcelona, do ta shijojë këtë eksperiencë, megjithëse drejtimi i një skuadre të tillë nuk është i lehtë për askënd. Betis luajti shumë mirë. Jam kurioz të shoh rreshtimin e tij në “Camp Nou”. Te Betis shpesh përdorte 3-5-2, edhe Barça ka lojtarë për ta përdorur këtë skemë”. Si futbollist, Setien nuk e fshehu dashurinë për shahun. Lotina shprehet se, “në kohën kur disa lojtarë filluan të luanin golf, ai kalonte orë të tëra me shah. Që atëherë tregoi se ishte një takticien i zgjuar…”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit