Katrahura në Kavajë, Magani akuzon: E gatoi arbitri!

13 Prill 2019
17:20
back button

Ndeshja më e rëndësishme e javës, për të mos thënë e sezonit në Kategorinë e Parë, mes Besës dhe Bylisit, zgjati vetëm 80 minuta dhe më pas u ndërpre, për shkak të sendeve pa fund që fluturuan në fushë, nga tifozët e irrituar të Besës. Bylisi po fitonte 1-0 dhe kaq mjaftonte për të ndezur tërbimin e tifozëve vendas, por kapakun ia ka vënë një karton i kuq dhënë Besës në minutat kur u ndal ndeshja.

Pas takimit trajneri i Besës Gugash Magani fol për RTSH dhe akuzoi hapur arbitrin Klajdi Kola për kartonin e kuq dhe për vendime të tjera, edhe pse realisht Bylisi luajti shumë më mirë dhe hedhja e shisheve u tolerua pa fund nga arbitrat.

GUGASH MAGANI

"Gabuam, sepse skuadra luajti me nxitim, me ngut, duke kërkuar patjetër fitoren, në një kohë që edhe barazimi na vlente, pasi ka edhe ndeshje tjetër me Bylisin.

"Megjithatë, më duhet të them se arbitrat janë paragjykuar që pa ardhur në Kavajë dhe me ato që pashë në fushë, kuptova se dyshimet ishin të drejta.

"Përtej gjithë episodeve, që duhen riparë, mendoj se kartoni i kuq në dëmin tonë para ndërprerjes së takimit ishte skandaloz, një gabim i pafalshëm. Mbrojtësi ynë largon topin dhe pëson faull, ndërsa arbitri i jep karton të kuq.

"Para ndeshjes presidenti na tha që do vinte arbitër i FIFA-s, ndaj ishim të qetë, por ky gjyqtar nuk e mbajti drejt. Ky gjyqtar më ka dëmtuar edhe në një ndeshje kur drejtoja Teutën, për mua na ka dëmtuar. Për mua është gabim me dashje, nuk është paaftësi. Ne trajnerët jemi mësuar të mos i themi të vërtetat, por unë po e them: luajtëm dobët, por edhe arbitri nuk ishte i ndershëm në gjykimin e ndeshjes".

VELJKO DOVEDJAN

"Më vjen keq, nuk duhej të mbyllej kështu kjo ndeshje. Patëm raste të shkëlqyera për të shënuar, Besa bëri shumë pak dhe fitorja ishte e merituar, edhe pse sfida u ndal. Mendoj se tashmë jemi në rrugën e duhur, duke treguar se jemi ekipi më i mirë i grupit.

Euforia? Sigurisht që i druhem, sepse janë edhe 4 ndeshje deri në përfundim dhe nuk ka mbaruar asgjë".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit