Kempes këshillon Lautaro Martinez: Ai adhurohet në Milano, pse duhet të ndryshojë klub?

3 Tetor 2023
10:27
Alfred Lleshi
back button

“Ai ka karakteristikat që i duhen një kapiteni: nuk dorëzohet, di të reagojë, di të jetë shembull. Shiriti në krah i qëndron mirë”. Këto janë deklaratat e bëra nga Mario Kempes për Lautaro Martinez, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.

Për rinovimin e mundshëm me Interin, ish-sulmuesi i River Plate, kampion bote, shton: “Kur je në një vend që të pëlqen, në një klub që të pëlqen, me njerëz që të pëlqejnë, duhet të qëndrosh gjithmonë.

Më duket se Lautaro ndihet kështu në Milano, ku të gjithë e duan, përveç tifozëve kuqezinj, kështu që pse të ndryshojë? Ai është një top-lojtar, nuk është e thënë të ketë të njëjtën performancë diku tjetër. Pastaj është i ri, kur t’i kalojë të 30-tat ndoshta do të jetë në gjendje të mendojë për përvoja të tjera…”

Ndërkohë, pas sponsorizimit (gjithnjë e më shumë) të mundshëm të “Qatar Airways” për Interin qëndron puna e madhe e Javier Zanettit. Këtë e nënvizon sot “Tuttosport”, teksa saktëson se tashmë mungojnë vetëm firmat, edhe pse gjithçka lë të kuptohet se së shpejti do të përfundojnë edhe formalitetet burokratike.

Sipas informacioneve të gazetës sportive torineze, në fakt, është argjentinasi, ai që e ka siguruar si sponsor kompaninë e njohur ajrore, e cila ishte kryefjalë në këtë drejtim edhe në Botërorin e fundit të zhvilluar në Katar.

Për momentin, QA do t’i bashkohet klubit zikaltër si sponsor dytësor, por nuk mund të përjashtohet mundësia që nga 2024-2025, nëse “Paramount+” nuk rinovon marrëveshjen me Interin, mund të bëhet sponsori kryesor i radhës i zikaltërve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit