Kërkesë e korçarëve, FSHF ndryshon gjyqtarin e sfidës Skënderbeu-Kukësi

16 Mars 2019
15:52
Alfred Lleshi

FSHF ndryshon në mënyrë të papritur arbitrat e ndeshjes hapëse të javës së 25-të të Superiores, Skënderbeu-Kukësi, e cila do të luhet sot, prej orës 17:00 në Korçë. Fillimisht u njoftua si kryesor Olsi Sokoli, me ndihmësa të tij Rejdi Avdo dhe Denis Rexha, por më vonë gjithçka ka ndryshuar. Klubi juglindor ka kontestuar Sokolin, duke iu referuar ndeshjes mes Flamurtarit dhe Kukësit (1-2), në këtë kampionat, ku kryesori nga kryeqyteti u akuzua për njëanshmëri në favor të verilindorëve. 

Pra, kuqebardhët i druheshin një tjetër "familjarizimi" të Sokolit me skuadrën e presidentit Safet Gjici. FSHF e ka marrë parasysh ankesën e Skënderbeut dhe ka dërguar në Korçë një tjetër arbitër, që e ka shkruar emrin mjaft për keq në historinë e përballjeve mes juglindorëve dhe Kukësit. Fjala është për Enea Jorgjin, me stemën e FIFA-s, por që e njollosi stemën e ndërkombëtarit në duelin e majit 2017 mes këtyre dy skuadrave, kur luhej dhe vendosej fati i titullit. 

Qartësisht, elbasanasi favorizoi Kukësin, që u shpall kampion në atë ndeshje, një javë para mbylljes së kampionatit. Megjithatë, duket se drejtuesit e Skënderbeut e kanë hedhur pas krahëve atë “precedent”, duke u pajtuar me Jorgjin. Ndihmës të tij, sot në Korçë do të jenë Ridiger Cokaj dhe Nertil Bregasi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit