“Kërkon një sfidë të re”; Rummenigge konfirmon largimin e yillit të Bayernit

31 Korrik 2020
11:04
Alfred Lleshi
back button

Drejtuesi i lartë i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge, ka konfirmuar Thiago Alcantara nuk do të nënshkruajë një kontratë të re dhe pritet të largohet nga klubi bavarez. Mesfushori braziliano-spanjoll iu bashkua gjigantëve gjermanë nga Barcelona më 2013 dhe i ka mbetur një vit marrëveshja e tij e tanishme.

29-vjeçari, kohët e fundit është lidhur me një kalim te kampionët e Premier League, Liverpool. Bavarezët kanë pranuar që largimi i tij të jetë i menjëhershëm, pas përpjekjeve të dështuara të drejtorit sportiv, Hasan Salihamidzic, për ta bindur atë që të rinovojë kontratën.

“Në të vërtetë, bisedat që Hasan pati me të ishin gjithnjë shumë produktive. Dhe në një moment dukej se po arrihej një marrëveshje. Por, atëherë Thiago e informoi Hasan se do të dëshironte të bënte diçka të re, dhe kështu është, – tha Rummenigge për “Sky Sport” në Gjermani. – Ne do të duhet ta pranojmë këtë fakt. Kemi një kontratë, që është akoma e vlefshme edhe për një vit. Nëse ai pajtohet me ndonjë klub, duhet të paguajë një shumë të caktuar për transferimin.

Unë nuk dua të bëj ndonjë koment publik në lidhje me shumën që kemi në mendje. Më pas do të merremi me këtë, por nuk do të bëjmë, siç e kam thënë tashmë, një shitje verore. Unë nuk jam zemëruar aspak. Më pëlqen Thiago, mendoj se është një futbollist i shkëlqyeshëm, gjithashtu me një karakter mjaft të mirë. Dhe nuk duhet të harrojmë se 29 vjeç është një moshë ku, nëse dëshiron të bëjë diçka të re, duhet ta bëjë tani. Nëse jeni në të 30-tat tuaja, atëherë do të jetë më e vështirë të transferoheni”.

Rummenigge pret që tarifat e transferimit të bjerë, ndërsa klubet po luftojnë me pasojat financiare të koronavirusit: “Unë mendoj se kam një rrjet shumë të mirë me shumë kolegë; pavarësisht nëse është Real Madridi, Barcelona, ​​shumë klube angleze, nga Franca, Italia. Mund ta them shumë qartë: Të gjithë rënkojnë, të gjithë vuajnë. Të gjithëve iu janë ulur të ardhurat. Mund të them edhe një gjë: klubet më të mëdha kanë ulje më të mëdha të të ardhurave sesa ato më të vogla. Sigurisht, kjo është në natyrën e gjërave”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit