Klopp bekon kalimin te Bayerni, e krahason Coutinho me legjendën e Juves

22 Gusht 2019
14:25
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp, e ka krahasuar Philippe Coutinho me legjendën e Juventusit, Alessandro del Piero. Ai ka pranuar se rrallë e aktivizoi përforcimin e ri të Bayern Munich në pozicionin e tij të preferuar. Ndërkombëtari brazilian u transferua përsëri këtë verë, rreth 18 muaj pas largimit nga “Anfield” drejt Barcelonës. Ky kalim ëndrrash në “Camp Nou” shpejt u bë një makth për amerikano-jugorin, pasi u përpoq të jepte më të mirën, por mbeti në hijen e Lionel Messi.

Bayerni i ka ofruar atij një fillim të ri, falë një marrëveshjeje huazimi, e cila përfshin një mundësi blerjeje për 120 milionë euro. Klopp e mbështet ish-lojtarin e tij në këtë lëvizje dhe shpreson të “lulëzojë” në Gjermaninë e tij të lindjes. Ai tha për “Kicker”: “Coutinho nuk luajti në rolin e tij të preferuar, si nr.10, kur ishte me ne, por si një nr.8 i shkëlqyeshëm. Edhe në krahun e majtë u tregua fantastik, sepse është jashtëzakonisht i mirë në hapësirat e ngushta dhe ka ritmin për të shfrytëzuar hapësirat më të mëdha. Ai i dominon ndeshjet e futbollit dhe është një pasuri e vërtetë, nëse i jepet besim dhe roli i duhur në skuadër. Bayerni kishte nevojë për të. Nëse mund ta integrojë atë dhe të arrë më të mirën nga ai, Bundesliga do të ketë një yll të madh në radhët e saj”.

Coutinho ka trashëguar fanellën me nr.10 nga “pensionisti” Arjen Robben te gjigantët bavarezë. Ai tani do të ketë mundësinë për ta provuar veten në pozicionin që e konsideron më të mirin. Klopp po pret gjëra të mëdha prej tij, me mendimin se Coutinho ka shumë cilësi të ngjashme me një fitues të Kupës së Botës, i cili dikur shkëlqeu me fanellën nr.10 te gjigantët e Serie A, Juventusi. Ai shtoi: “Coutinho ka një sy të pabesueshëm për golin, një diapazon të veçantë për lojën. Unë nuk kam parë asnjë lojtar tjetër, që të futej nga e majta dhe të godasë topin me një rregullsi dhe precizion të tillë nga ato lloj pozicionesh që nga Del Piero”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit