Klopp “burgos” Shaqirin, nuk lejon kthimin e tij në Serie A

14 Janar 2020
15:30
Alfred Lleshi
back button

Liverpool-i ka hedhur poshtë ofertën e Romës për huazimin e sulmuesit Xherdan Shaqiri, sipas raportimeve mediatike nga Anglia dhe Italia. Skuadra e Serie A e shihte shqiptarin si zëvendësues ideal për Nicolo Zaniolo, i cili pësoi një dëmtim të rëndë të gjurit në humbjen 2-1 ndaj Juventusit, fundjavën e kaluar, dhe e mbylli këtu sezonin. Sipas “Sky Italia”, Roma telefonoi “Reds” të hënën për të pyetur nëse mund ta merrnin Shaqirin me huazim deri në fund të sezonit aktual.

Sidoqoftë, Jurgen Klopp e hodhi poshtë menjëherë këtë mundësi, pasi nuk dëshiron të privohet nga asnjëri prej opsioneve të tij sulmuese këtë muaj. Kujtojmë se Liverpool është në kërkim të titullit të parë ndonjëherë në epokën e Premier League, ndaj nuk do të largojë asnjë forcë potenciale, që mund ta ndihmojë në pjesën e mbetur të sezonit, ku garon në disa fronte. Ky refuzim i trajnerit gjerman vjen pavarësisht se Shaqiri po lufton për minuta aktivizim në “Anfield”. 

Lojtari i kombëtares zvicerane ka luajtur 90 minuta të plota vetëm një herë në këtë sezon, teksa ka vuajtur edhe nga dëmtimet. Në total, ai ka luajtur 256 minuta, në të gjitha garat. Për më tepër, ardhja në janar e Takumi Minamino nga RB Salzburg e ka bërë më të vështirë detyrën e Shaqirit. Prandaj, me siguri, kjo “burgosje” nuk do t’i ketë pëlqyer shumë shqiptarit të Zvicrës, i cili mund të luante dhe rikonfirmonte veten në Serie A, te Roma, duke u “valorizuar” për merkaton e verës që vjen. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit