Klopp i bashkohet sulmit gjerman ndaj Barçës: Nuk e kuptoj vërtet, shpenzon miliona për blerje e thotë s’kam para…

16 Gusht 2022
8:30
Alfred Lleshi
back button

Tregu i transferimeve që Barcelona po kryen këtë verë ka bërë bujë në shumicën e rasteve, praktikisht në të gjithë skenën botërore. Shumë zëra deklarojnë me mosbesim se nuk e kuptojnë sesi klubi katalanas i futbollit po e përforcon skuadrën me emra të klasit të parë, pavarësisht vështirësive ekonomike që po kalon.

Në Gjermani kritikat janë përsëritur vazhdimisht. Egoja gjermane, e plagosur nga largimi i Robert Lewandowski prej Bayernit për të luajtur në “Camp Nou”, e tërboi të gjithë stafin e skuadrës bavareze. Që nga Karl-Heinz Rummenigge te trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann nuk i kanë ndalur kritikat dhe talljet e vazhdueshme.

Kjo e shtyu Joan Laporta të tregojë personalitetin e tij: “Kam vënë re njëfarë injorance dhe mungesë informacioni nga disa prej atyre që janë përgjegjës, disa madje e kanë shtrembëruar realitetin. Ata nuk ishin të vetëdijshëm për forcën dhe mbështetjen që ka ky klub. Nëse nuk përfshihem në mënyrën se si ata e drejtojnë klubin, do t’u kërkoja të bëjnë të njëjtën gjë dhe të mos ngatërrohen me ne. Le të shqetësohen për klubin e tyre”.

E vërteta është se pavarësisht se kanë kaluar javë, nga Gjermania ende nuk e përtypin mirë largimin e Lewandowskit, pavarësisht se Bayernit duket se nuk i mungon polaku në startin e sezonit. Një tjetër gjerman që ka dashur të japë mendimin e tij, duke e sulmuar Barcelonën, ka qenë Jürgen Klopp. Trajneri i Liverpool-it ka përfituar nga një intervistë në “Kicker” për të nisur një shigjetë drejt sjelljes së Barçës në këtë merkato.

I pyetur për përforcimet që Barça po bënte, pavarësisht situatës ekonomike, Klopp u shpreh i hapur: “Nuk e kuptoj për arsye të ndryshme. Nëse thua se nuk kam para, atëherë nuk mund të shpenzosh për asgjë. Po e shoh këtë që po ndodh si një tifoz futbolli, nuk e kuptoj.

I vetmi klub që di se dikur shiti stadiumin dhe të drejtat e tjera paraprakisht ishte Borussia Dortmund. Watzke duhej të ndërhynte në sekondën e fundit dhe të shpëtonte gjithçka. Nuk e di nëse ka një tjetër Watzke në Barcelonë”.

Klopp, gjithashtu la të kuptohet se Barça kërcënohet me falimentim për shkak të të gjitha aseteve që i është dashur të shesë. Joan Laporta nuk kishte asnjë shqetësim për t’iu përgjigjur Nagelsmann në kohën e tij. Do të shohim nëse ai vendos ta bëjë tani me Klopp apo preferon ta bëjë në një përballje hipotetike në fushë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit