“Klopp më tha se mund të kisha arritur më shumë sesa Salah”

30 Qershor 2020
9:21
Alfred Lleshi
back button

Ish-sulmuesi i Borussia Dortmund dhe kombëtares së Egjiptit, Mohamed Zidan, ka kërkuar të sqarojë komentet e tij në lidhje me Jurgen Klopp dhe Mohamed Salah. Në një intervistë të fillimit të këtij viti, Zidan pretendoi që Klopp i kishte thënë se ishte lojtar më i mirë se Salah. Ai luajti për Borussia Dortmundin midis viteve 2008 dhe 2012, ndërsa Salah nuk u transferua në Europë, te Basel, deri në vitin 2012. Tani, Zidan thotë se komentet e tij ishin keqkuptuar, por ende e shikon karrierën e tij me shumë potencial, por të paplotësuar.

Duke folur në kanalin televiziv egjiptian “AlNahar”, Zidan tha: “Unë nuk thashë se jam më i mirë se Salah. Thashë se Klopp më tha që, nëse do të kisha të njëjtin angazhim si ai, do të isha bërë futbollist më i mirë. Pra, do të kisha arritur shumë më tepër. Ndoshta më shumë se ajo që ka arritur Salah, nëse do të kisha të njëjtin angazhim dhe përqendrim, brenda dhe jashtë fushës. Kam pasur shumë operacione në gjunjë dhe shpinë, kjo ka ndikuar shumë tek unë”.

Sidoqoftë, Zidan mbetet një tifoz i madh i Salah dhe pa dyshim që është kënaqur kur pa që ai u bë egjiptiani i parë, që fiton Premier League (këtë sezon): “Salah po i përfaqëson shumë mirë egjiptianët në Angli dhe te Liverpool. Ai po bën shumë mirë dhe të gjithë e mbështesim. Ne të gjithë kemi lutemi për të dhe e ndjekim me krenari, sepse po na përfaqëson si egjiptianë dhe arabë.

Mohamed është një shembull i mirë, siç ishim më parë unë dhe kolegët e tjerë egjiptianë, që luajtën në Europë, si Mido, Ahmed Hassan dhe shumë të tjerë. Tani, Mo Salah po vazhdon trashëgiminë e lojtarëve egjiptianë në Europë, duke i bërë fëmijët egjiptianë të vazhdojnë të ëndërrojnë, sepse ai është njëri nga ne. Sot është koha e Mo Salah, po shkon shumë mirë, po u jep shpresë të gjithë egjiptianëve dhe më pas, në të ardhmen, do të jenë fëmijët e tjerë nga Egjipti, që do të luajnë në Europë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit