Klopp ngre alarmin: Askush nuk pyet për lojtarët, po përplasemi me murin. Kjo është çmenduri

16 Gusht 2022
9:50
Alfred Lleshi
back button

Gjatë një interviste të gjatë të dhënë për mikrofonat e “Kicker”, trajneri i Liverpool-it, Jurgen Klopp foli edhe për transferimin e Matthijs De Ligt nga Juventusi te Bayern Munich: “Nuk duhet ta nënvlerësojmë atraktivitetin e Bayernit.

Aty probabiliteti për t’u shpallur kampion, edhe për t’u rritur, është relativisht i lartë, më i madh për shembull se te Juventusi në Itali. Po kështu, është një hap i madh përpara kalimi nga Ajax te Bayerni. Po flasim për një klub të klasit botëror, ekonomikisht solid si shkëmb. Edhe për këtë arsye është një nga klubet më të suksesshme në botë”.

Trajneri gjerman është bërë zë-dhënës i futbollistëve, të cilët nuk po llogariten fare nag UEFA dhe FIFA në ngjeshjen e ndeshjeve dhe shtimin e kompeticioneve të reja, në kuadrin e të ashtuquajturave reformave të futbollit: “Ceferin ekspozohet dhe bën një deklaratë të diskutueshme për faktin se njerëzit e tjerë duhet të punojnë shumë më tepër.

Edhe unë e di këtë dhe nuk kam nevojë për të ma thënë, e di si funksionon puna. Nuk kam qëllim të ofendoj njeri, vetëm të theksoj që ky sistem nuk funksionon pa lojtarët. Është bukur kur më të mirët dalin në fushë, por nuk duhet ta bëjnë këtë çdo tri ditë. Ne do të përplasemi me një mur.

Këtu të gjithë po shtyjnë për turne të rinj, por askush nuk mendon për lojtarët, askush. Tani madje po studiohet një formulë për të zgjeruar Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian. Duhet gjetur një zgjidhje e arsyeshme, jo të shpikësh gara të tjera apo të zgjerosh ato ekzistuese, sepse është çmenduri.

E di mirë që në këtë histori kam një pozicion komod, kam mjaft pushime, por lojtarët jo, ndaj është e nevojshme ta ndryshojmë këtë situatë. Nuk e kam problem të jem i vetmi që them diçka për këtë, gjithsesi nuk mund të jem shok me të gjithë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit