Klopp nuk ngopet me 25 pikë avantazh: Nuk jemi akoma kampionë…

2 Qershor 2020
14:29
Alfred Lleshi

Ditë para rifillimit të Premier League, Jürgen Klopp, trajneri i Liverpool, siguroi se të tijtë nuk janë akoma kampionë. Ai e di mirë këtë gjë, kërkon ta rrënjosë si bindje edhe te lojtarët, duke lënë të kuptohet se duhet fituar çdo ndeshje e mundshme e mbetur e këtij kampionati. “Unë kam vuajtur shumë pa futbollin këto kohë. Ky sport është i mahnitshëm, – tha Klopp në një intervistë për BBC. – E di se futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme në jetë, por mbetet pasioni im më i madh. Shpresoj që njerëzit ta presin rifillimin e ampionateve me të njëjtin entuziasëm si ne”.

Kur të rifillojë Premier League, më 17 qershor, Liverpool do të bëjë “restart” me 25 pikë avantazh ndaj Manchester City, në krye të klasifikimit. Nëse “qytetarët” e Guardiolës bien ndaj Arsenalit në ndeshjen e tyre të parë, pas pandemisë së Covid-19, dhe Liverpool fiton, atëherë “Reds” zyrtarizojnë edhe matematikisht titullin e tyre të parë kampion në 30 vite: “Është mirë të mendojmë për këtë sukses, por nuk jemi akoma kampionë. Unë dhe lojtarët e dimë mirë këtë gjë. Jemi shumë afër, por kjo nuk e bën fakt të kryer titullin. Janë edhe 27 pikë në lojë dhe ne do të përpiqemi t’i marrim të gjitha”.

Lidhur me një “sfilatë” të mundshme për të festuar titullin, Klopp tregoi se do të bëhet kur situata të jetë e sigurt: “Nëse bëhemi kampionë, do të organizojmë çfarëdo feste të jetë e mundur. Si fillim do të festojmë brenda skuadrës, pastaj edhe me tifozët tanë, në kohën kur autoritetet shëndetësore të na lejojnë. Nëse e fitojmë titullin, festa e madhe nuk do të mungojë, por momentin nuk mund ta themi tani, pasi jemi të varur nga emergjenca shëndetësore”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit