“Klubi nuk më mbështeti”, zbulohet prapaskena e bujshme e Haaland!

19 Nëntor 2019
11:04
back button

Erling Braut Haaland është padyshim talenti i momentit, me norvegjezin që i ka mahnitur të gjithë me performancat e tij me Salzburg. Shumë klube të mëdha janë vënë në ndjekje të tij, teksa thuhet që çmimi i tij aktual mund të ketë prekur 80 milionë eurot.

Sidoqoftë, një vit më parë Haaland nuk ishte kaq i njohur dhe së fundmi është zbuluar një prapaskenë e bujshme. Norvegjezi mund të kishte përfunduar në verën e vitit 2018 tek Evertoni, për vetëm 4 milionë euro.

Diçka të tillë e zbulon skauti Steve Walsh, i cili është mjaft i njohur në Angli, pasi është njeriu që zbuloi Ngolo Kante, Riyad Mahrez, por edhe Robertson dhe Maguire.

Pikërisht Walsh, në një intervistë të dhënë për një media angleze, zbulon që ia ka propozuar Evertonit emrin e Haaland, por klubi nuk e kishte mbështetur. “Erling Haaland së bashku me babain e tij ishin në Angli dhe e kishim gjetur marrëveshjen që djali të kalonte tek Everton për 4 milionë euro. Gjithsesi, në fund klubi nuk më mbështeti”, shpjegon Walsh.

Ndoshta në rast se Everton do të kishte pranuar, gjithçka mund të kishte një rrjedhë tjetër, por diçka është sigurt: Klubi nga “Goodison Park” duhet të jetë penduar shumë që nuk pranoi të paguante 4 milionë euro për një lojtar si Haaland.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit