Klubi spanjoll trefishon ofertën për Keidi Bare, por refuzohet sërish

13 Janar 2020
14:15
Alfred Lleshi
back button

Rayo Vallecano përmirësoi ditë më parë ofertën, që bëri në fund të vitit të kaluar për Keidi Bare. Klubi nga Madridi e ka ndjekur mesfushorin shqiptar për javë të tëra dhe ka planifikuar të përfitojë nga kriza financiare e bardhebluve, për të “peshkuar” te Malaga. Synimi është shqiptari, një nga më të spikaturit te skuadra nga “Costa del Sol”, deri më tani, këtë sezon, por po has shumë pengesa, ndryshe nga sa mendonte.

“Plani i klubit të Manolo Gaspar është që ta forcojë ekipin, jo ta dobësojë atë”, – tha Richard Shaheen, drejtori i përgjithshëm, të premten, në lidhje me shitjet e mundshme të lojtarëve të Malaga-s, për të balancuar financat. Një shembull i mirë i kësaj folozofie mund të jetë rasti i Keidi Bare. Rayo Vallecano ofroi 500.000 euro javë më parë për transferimin e shqiptarit, një propozim që nuk u mor fare në shqyrtim nga bardheblutë. 

Malaga e hodhi poshtë këtë ofertë të parë, pasi e konsideroi qesharake. Rayo, përkundër kësaj, ruajti interesin për lojtarin dhe në javën e kaluar bëri një ofertë tjetër për mesfushorin e kombëtares kuqezi, duke trefishuar të parën. Sipas “Malaga Today”, Vallecano është gatshi të paguajë për shqiptarin 1.5 milionë euro, megjithëse përgjigja e Malaga-s ishte përsëri e njëjtë: Jo. Bardheblutë po shohin mundësi të tjerë për t’u “ngjallur” financiarisht, duke e parë shqiptarin një figurë kryesore në ekip, për të cilin kanë refuzuar disa oferta. 

Kujtojmë se të dyja skuadrat, që përfshihen në këtë operacion të mundshëm merkatoje dimërore, luajnë në “Segunda Division”. Malaga e Bares renditet në vendin e 16-të, me 23 pikë në 22 ndeshje, ndërsa Rayo Vallecano në vendin e 12-të, me 28 pikë. Së fundi, pas publikimit të një video-skandali erotik, Malaga shkarkoi trajnerin Victor Sanches del Amo. Pra, Keidi Bare dhe Armando Sadiku do të punojnë me një “timonier” të ri në vazhdim, i cili është Sergio Pellicer García. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit