Basketboll

Knicks përzënë dështimin Noah: 300 mijë dollarë për pikë dhe 1.3 milionë për ndeshje!

New York Knicks ka vendosur të ndahet me Joakim Noah, pas dy sezonesh mbushur me probleme dhe shpenzime kolosale, duke e bërë “martesën” mes tyre një ndër më të dështuarat në historinë e NBA-së. Mbrojtësi francez, gjithsesi, largohet i lumtur, sepse do të marrë çdo qindarkë që i mbetet nga kontrata e tij, më saktë 37,82 milionë dollarë që i mbeten nga kontrata për dy sezonet e ardhshme.

Noah luajti për Chicago Bulls nga viti 2007 deri në 2016, duke pasur rendiment fantastik, aq sa u shpall Mbrojtësi i Vitit në 2014 dhe u përfshi dy herë në skuadrën All-Star në NBA.

Kjo bëri që ish-presidenti i Knicks, Phil Jackson, të firmoste një kontratë 4-vjeçare me të në vitin 2016, për 72 milionë dollarë, me shpresën se Noah do të bëhej lideri i mbrojtjes së New York.

Gjithsesi, në New York gjithçka shkoi keq dhe Noah luajti 46 ndeshje në sezonin 2016-17, duke humbur shumë kohë me dëmtime dhe një operacion në gju, ndërsa në shkurt 2017 NBA e pezulloi për 20 ndeshje, për shkak se përdori një substancë të ndaluar. Për pasojë, Noah humbi 12 ndeshjet e para të sezonit 2017-18, ndërsa përfundoi në qendër të vëmendjes për sherret me trajnerin, apo sjelljen e pahijshme jashtë fushe.

Në total, Noah pati një mesatare prej 5 pikësh dhe 22.1 minutash për ndeshje në sezonin e parë, ndërsa sezoni i dytë ishte një dështim total, me 1.7 pikë për ndeshje dhe 5.7 minuta për takim. Me një llogari të thjeshtë, New York ka paguar 1.3 milionë dollarë për çdo ndeshje që Noah ka luajtur, me 68.700 dollarë të shpenzuar për minutë dhe 297.500 dollarë për pikë.

Më shumë nga Basketboll