Koeman: Jemi ende gjallë, nuk dorëzohemi. Lenglet i merr gabimet shumë personalisht

23 Shkurt 2021
14:03
Alfred Lleshi
back button

Ronald Koeman e di që situata është shumë e komplikuar, por nuk e ngre flamurin e bardhë. Trajneri i Barçës pranon se skuadra e tij ka probleme serioze në mbrojtje, gabime që kushtojnë pikë, por refuzon të fajësojë veçmas ndonjë nga lojtarët e tij. Për të, faji është i të gjithëve. Nesër, kundër Elche, një tjetër ndeshje.

Dështimet mbrojtëse – “Ndonjëherë ato varen nga përqendrimi. Nëse nuk e mbyllni ndeshjen, është më e vështirë. Ka gjëra për t’u përmirësuar, duhet ta pranojmë këtë. Ne flasim për këtë dhe ekipi është mjaft i angazhuar për të patur rezultate sa më të mira. Jemi akoma gjallë, por duhet të luajmë më të përqendruar”.

Udhëheqësi që mungon në ekip – “Mendoj se ka të tillë te Barça. Nga prapa, me Piqué, Sergi Roberto, Alba, Busquets, dhe Leon në krye. Kjo skuadër ka mjaft personalitet. Ata duhet të udhëheqin rrugën, sepse janë lojtarë cilësorë me shumë personalitet. Është e rëndësishme për t’u treguar të rinjve rrugën ku duhet të ecin”.

Ndeshjet nuk mbyllen – “Mund të jetë për shkak të një frike të vogël, kur kemi vetëm një gol avantazh, sepse na ka ndodhur më parë. Më duhet të them se kemi pasur fat shumë të keq. Ne kemi shumë më tepër zotërim topi, shumë mundësi, por në fund rezultati mbetet 1-1”.

Mbrojtja e tepërt e ekipit – “Detyra ime është t’u shpjegoj lojtarëve se ku dështuan. Nuk më pëlqen të kritikoj në shtyp, brenda grupit po. Jashtë duhet t’i mbroj lojtarët”.

Humori i trajnerit – “Ndihem përgjegjës për gjithçka ndodh te Barcelona, ndaj mendoj se si të përmirësohem. Humbjet ndikojnë tek unë, por nuk dua të dorëzohem. Unë i them ekipit se mundemi. Kjo varet nga ndeshjet e ardhshme. Ka ende shpresë, ndaj është e nevojshme të japim gjithçka”.

Griezmann dhe Dembélé – “Ju duhet të vlerësoni mundësitë që ata kanë pasur. Antoine ishte shumë efektiv muajin e kaluar. Ousmane kishte tre ose katër shanse, dy mundësi të mëdha, ku duhet të shënonte një gol të paktën. Na mungon efektiviteti nga mesfusha e lart nga disa lojtarë”.

Rotacionet – “Mendoj se po u japim të rinjve shumë mundësi. Unë gjithmonë mendoj për të rinjtë, për t’u dhënë atyre mundësi, por për t’i nxjerrë gështenjat nga zjarr kemi nevojë për ata me përvojë. Tashmë kemi shumë të rinj, 18 ose 19-vjeçarë në ekip. Ne do të kërkojmë një ekip të freskët, sepse ka lojtarë të lodhur”.

Zemërimi i tifozëve – “Ne e dimë se si janë tifozët, zemërimi i tyre është normal. Unë mendoj se rezultati ndaj PSG dhe ai ndeshjen tjetër na dëmtoi”.

Objektivi – “Ne ende mund ta fitojmë kampionatin. Të gjitha ekipet po dështojnë. E dimë që duhet të rikthehemi në lojën tonë. Unë nuk jam në favor të mendimit se Kupa është më e rëndësishme. Ne mund të bëjmë mirë në të dyja garat. Sigurisht, gjërat janë të komplikuara, sepse duhet të luajmë pa tifozë në kthimin ndaj Sevilla”.

Mbappé dhe Haaland – “Kjo nuk është koha për të folur për lojtarë të tjerë. Ne jemi duke luajtur ndeshje të rëndësishme. Kjo çështje mund të jetë pjesë e së ardhmes së klubit, e presidentit të ri. Ne duhet të përqendrohemi te lojërat që mbeten, në atë që është e rëndësishme”.

Lenglet – “Unë fola me të këtë mëngjes. Është serioz, një profesionist shumë i mirë, i cili i merr gabimet shumë personalisht. Ai mund të bëjë më mirë. Është e vërtetë që në disa momente ka bërë gabime, por ne gjithashtu kemi gabuar edhe në sulm, me lojtarë të tjerë. As Clement nuk mund të supozojë se i gjithë problemi është i tij. Natyrisht, duhet t’i përmirësojë gjërat, si çdo lojtar”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit