Koha për triologjinë, Canelo-Alvarez sfidë me Golovkin më 14 shtator

14 Korrik 2019
10:29
Telesport
back button

Duket se koha për të zhvilluar sfidën e tretë mes kampionit të botës në peshën e mesme, meksikanit Saul “Canelo” Alvarez dhe kazakut Gennady Golovkin ka ardhur. Sipas mediave amerikane, dy boksierët do të përballen më 14 shtator, për të kompletuar triologjinë.

Canelo Alvarez mban titujt e kategorive IBF e WBA, që i pat fituar nga sfida e dytë ndaj Golovkin (fitoi me vendim shumice). Ndërsa përballja e parë mes tyre u mbyll në barazim. Dy boksierët janë përballur gjithnjë në shtator (2017 dhe 2018) dhe duket se ky është muaji i duhur për t’u përballur edhe për herën e tretë.

Meksikani synonte që të duelonte ndaj Sergey Kovalev, kampion bote në kategorinë WBO dhe të unifikonte titujt kampionë në peshën e mesme, por iu prishën planet. WBO urdhëroi rusin që të mbrojë titullin ndaj Anthony Yarde, ndaj për Canelo Alvarez rivali i vetëm në dispozicion është “Triple G” (nofka e Gennady Golovkin).

Mësohet se platforma televizive DAZN u ka ofruar dy sportistëve datën 14 shtator për këtë duel të madh të peshës së mesme. Canelo Alvarez numëron 52 fitore, 1 humbje dhe 1 barazim në karrierën e tij, ndërsa Golovkin ka 39 fitore, 1 humbje e 1 barazim në karrierë. Meksikani ka dueluar për herë të fundit në maj, ndëras kazaku në qershor.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit