Kohë zgjedhjesh, Kukësi harron të paguajë lojtarët!

8 Korrik 2019
21:13
Anton Cicani
back button

Kohë zgjedhjesh, Kukësi harron të paguajë lojtarët Kukësi ka thuajse një muaj që po përgatitet për pjesëmarrjen në Europa League, ku do të ndeshet me hungarezët e Debrecenit, rival i vështirë, por jo i pakalueshëm. 

Megjithatë, duket se serioziteti te Kukësi është në nivel minimal, sepse presidenti Safet Gjici është i përqendruar te politika dhe zgjedhjet lokale, ndërsa i ka harruar lojtarët. Përveç faktit që skuadra po stërvitet pa bazë materiale dhe trajneri Ernest Gjoka ka në dispozicion shumë pak lojtarë, me merkaton që ka ngecur prej kohësh, tashmë mësohet edhe diçka tjetër shqetësuese. 

Lojtarët e Kukësit nuk paguhen prej dy muajsh, ndërsa nuk dihet a është paguar stafi. Burime brenda klubit pohojnë se ka vonesa, që janë normale, por rrallë në të shkuarën Kukësi i ka vonuar kaq gjatë pagat. Për më tepër, bëhet fjalë për sezonin e shkuar, që u mbyll me sukses, por pa likuiduar pagat. 

Lojtarët me gjysmë zëri e konfirmojnë një lajm të tillë dhe ka pak tension brenda ekipit, edhe pse të gjithë janë të vetëdijshëm se klubi zor se do t'i lërë pezull edhe për shumë kohë. Gjithsesi, në Europë pa paguar është një risk i madh, pasi lojtarët mund të mos jenë të përqendruar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit