Koliçi kërkon mbylljen perfekte: Flamurtarit nuk i intereson Tirana, e mundim sërish Memën!

18 Dhjetor 2018
12:34
back button

Dy fitoret e fundit në kampionat, përballë Laçit dhe Kamzës, kanë pasur rëndësi të jashtëzakonshme për Flamurtarin, që ka rigjetur qetësi dhe ka përmirësuar dukshëm renditjen. Në kampin vlonjat dëshirojnë ta mbyllin vitin me triumf, pavarësisht faktit se të premten luhet ne transfertë, përballë Tiranes. Portieri Enea Koliçi ka konfirmuar se skuadra është në një moment të mirë dhe këtë fakt e tregojnë më së miri edhe dy fitoret e fundit në kampionat.

"Këto dy fitore kanë qenë shumë të rëndësishme për ne. Kemi edhe një ndeshje deri në fund të vitit, shpresojmë të marrim tre pikët ndaj Tiranës, për ta mbyllur bukur vitin. Rezultatet e fundit na kanë dhënë qetësi, gjithçka po shkon mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu".

Loja e kuqezinjve kohët e fundit ka pasur rritje konstante, edhe pse golat janë me pikatore, por Koliçi nuk shqetësohet: "Kur ekipi nuk pëson gola dhe fitojmë, çdo gjë është në rregull, pak rëndësi shënojmë shumë apo pak".

Vlonjatët gjejnë përballë një njohje të vjetër si Ardian Mema në krye të stolit të Tiranës, por për Koliçin kjo ka pak rëndësi: "E vërtetë, Mema ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe pak a shumë e di si funksionon ekipi ynë, por ashtu si në ndeshjen e parë, kur Mema debutoi te Tirana, edhe këtë radhë mendoj se mund të marrim fitoren".

Kriza e Tiranës nuk është në mendjen e portierit kuqezi: "Nuk e mendojmë kështu, nuk na intereson fare situata e Tiranës. Për ne kanë rëndësi të marrim pikët".

Takimi ndaj Tiranës do të luhet ditën e premte, në orën 16:30, dhe kjo është ndeshja e fundit për këtë vit, me vlonjatët që kërkojnë të mos mbeten në kuotën e 28 pikëve, por të jenë pse jo më lart në renditje.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit