Kombëtarja humbet në Rumani dhe eliminohet nga Liga e Argjendtë

12 Qershor 2022
18:17
Telesport
back button

Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për meshkuj është mundur  3-0 nga Rumania në ndeshjen e fundit të Grupit B, e vlefshme për Ligën e Argjendtë (25-28, 25-19, 25-22 rezultati i tre seteve). Ndeshja e luajtur në Galati të Rumanisë është dominuar nga kombëtarja vendase, që siguron vendin e parë në grup.

Ndërsa për Shqipërinë kjo humbje ishte shumë e rëndë, jo vetëm në shifra por edhe për faktin se eliminon kuqezinjtë nga gara për titull. Kombëtarja shqiptare zbret në vendin e tretë, duke u eliminuar. Në vendin e dytë u ngjit Maqedonia e Veriut, që fitoi 3-0 në Bosnjë dhe falë setavarazhit më të mirë kualifikohet në “final four”.

Një fat i keq për kuqzinjtë, që e mbyllën renditjen në kuotën e 10 pikëve, po aq sa fqinjët maqedonas, të cilët i mposhtëm dy herë, në Tiranë e shkup. Por setavarazhi: 12-11 për Shqipërinë dhe 13-10 për Maqedoninë kualifikon këta të fundit dhe eliminon Shqipërinë, që arriti në fazën e grupeve 3 fitore e 3 humbje (e fundit u rendit Bosnja).

Për sa i përket ndeshjes së luajtur sot në Galati të Rumanisë, ajo u komandua e fitua  me meritë nga kombëtarja vendase, ndjeshëm më superiore në fushë. Kombëtarja e trajnerit Jani Melka ishte e lodhur dhe e pafuqishme, duke mos dhënë atë që pritej në fushë, teksa në të trija setet ishte në ndjekje të kundërshtarit, pa patur mundësi të rivalizojë.

Liga e Argjendit-Grupi B

24 maj, Shqipëri-Rumani, 1-3

28 maj, Bosnjë H.-Shqipëri, 3-2

1 qershor, Maqedoni V.- Shqipëri, 1-3

4 qershor, Shqipëri – Maqedoni V., 3-1

8 qershor, Shqipëri – Bosnjë H., 3-0

12 qershor, Rumani – Shqipëri, 3-0

Lajme të tjera

Lajmet e fundit