Kombëtarja nis grumbullimin për raundin e tretë eliminator të Europianit

16 Korrik 2019
12:40
Telesport
back button

Kombëtarja e meshkujve në basketboll ka nisur përgatitjen për raundin e tretë eliminator të Kampionatit Europian, “Eurobasket 2021”. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali po kryejnë fazën përgatitore në mjediset e Akademisë “Dhimitraq Goga”, në Durrës.

Shqipëria, pasi dështoi në raundin e parë, ku u mund në të katërta ndeshjet që luajti ndaj Danimarkës dhe Armenisë, ka ende edhe një shans për të tentuar surprizën. Sipas shortit, Kombëtarja shqiptare e koshit është pozicionuar në Grupin E të raundit të tretë, ku do të luajë ndaj Bjellorusisë dhe sërish ndaj Danimarkës.

Nga ndeshja Shqiperi-Armeni

Ndeshjet e raundit të tretë do të luhen në gusht të këtij viti. Takimi i parë do të luhet në Tiranë më 3 gusht dhe më pas do të vijnë dy takime jashtë: Më 10 gusht në Danimarkë dhe 14 gusht në Bjellorusi. Sfida e fundit është ndaj bjellorusëve në Tiranë, më 21 gusht. Skuadra e renditur e para në grup avancon më tej.

Trajneri Bilali ka nisur nga puna me lojtarët e seleksionuar prej tij, ndërkohë që stërvitja do të vijojë përgjatë 3 javëve në vijim deri në takimin e parë. Shqipëria dështoi në raundin e parë eliminator, kur drejtohej nga greku Antonios Doukas.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit