Kombëtarja përmbys Bosnjën, arrin fitoren e parë në eliminatoret e Europianit

6 Gusht 2022
21:27
Telesport
back button

Kombëtarja e meshkujve në volejboll fitoi mbrëmjen e sotme 3-2 ndaj Bosnjë-Herzegovinës, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit, sfidë e luajtur në “Feti Borova”. Një fitore me përmbysje e skuadrës kuqezi, që pas disavantazhit 0-2 pas dy seteve të para arrin të rikuperojë, duke fituar tri setet e tjera.

Fitore me vlera edhe për faktin se në fushë u dëmtuan dy lojtarë kryesorë, si Qafarena e Deliu, por skuadra arriti të ngrihet dhe të bëjë një paraqitje të mirë. Ndeshja nisi më mirë për miqtë nga Bosnja, që përfitoi nga gabimet e shumta të kombëtares kuqezi, duke fituar me lehtësi 25-19 e 25-11 dy setet e para.

Më pas, loja ndërron krejtësisht kah. Djemtë e trajnerit Jani Melka “zgjohen” dhe në fushë shihet një kombëtare krejt ndryshe, që gabon më pak dhe mbron më mirë. Kuqezinjtë dominojnë në fushë dhe fitojnë 25-22 setin e tretë e 25-21 setin e katërt, duke rihapur ndeshjen.

Seti final është mjaft dramatik edhe pse shumicën e kohës komandohet nga volejbollistët shqiptarë. Pas barazimit 12-12, Shqipëria shkëputet e fiton 15-13, duke korrur suksesin e parë në Grupin G. Ndeshja e radhës nesër në kryeqytet sërish ndaj Bosnjës, pas marrëveshjes që kanë arritur dy Federatat për t’i luajtur dy takimet në Tiranë.

Kalendari i kombëtares

3 gusht, Rumani – Shqipëri, 3-0

6 gusht, Bosnjë/Herzegovinë – Shqipëri, 2-3

7 gusht, Shqipëri – Bosnjë/Herzegovinë (19:00)

10 gusht, Zvicër – Shqipëri (19:30)

13 gusht, Shqipëri – Zvicër (19:00)

20 gusht, Shqipëri – Rumani (19:00)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit