Kosh në sekondën e fundit, Goga Basket mposht Teutën në finalen e dytë

8 Maj 2019
20:03
Telesport
back button

Goga Basket fitoi 73-72 ndaj Teutës në finalen e dytë të play off-it në basketboll për meshkuj, duke barazuar 1-1 serinë e finaleve. Takimi i luajtur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ka qenë mjaft i bukur, emocionues dhe dramatik. Një kosh në sekondën e fundit nga amerikani Ramme për skuadrën e Gogës i dha fitoren këtij ekipi, atëherë kur ky sukses dukej i pamundur. Në fund ka edhe tension, pasi tifozët durrsakë hedhin sende në fushë, ndërkohë që mungojnë forcat e rendit.

Ndeshja, një derbi durrsak, ka shumë emocione dhe luhatje ne lojën e saj, ku herë udhëheq njëri ekip e herë tjetri. Perioda e parë fitohet 23-21 nga Goga Basket, por në të dytën janë basketbollistët e Teutës që luajnë më mirë dhe përmbysin shifrat në 41-39 në favorin e tyre. Në periodën e tretë loja komandohet nga Goga Basket, që arrin të shkëputet 62-55, duke qenë më të saktë në gjuajtje.

Loja bëhet dramatike në minutat e fundit, me Teutën që nis gradualisht të rikuperojë dhe barazon shifrat në 66-66. Madje vendasit kryesojnë me 2-3 pikë në fund, por nuk e ruajnë këtë epërsi, pasi humbasin dy raste të arta për të mbyllur ndeshjen. Goga Basket fiton një top në fund dhe nga një pozicion i pamundur Ramme shënon koshin e fitores në sekondën e fundit, 73-72, duke nisur festën.

Gjithsesi, ndeshja nuk ndalet këtu, pasi gjyqtarët thonë se ka ende edhe 1 sekondë lojë dhe pas shumë polemikash takimi rinis. Asgjë nuk ndodh edhe në sekondën e fundit lojë dhe kështu Goga Basket mund të festojë zyrtarisht fitoren dhe hakmerret për humbjen në finalen e parë. Në fund ka tension, pasi tifozët hedhin sende në fushë në adresë të lojtarëve të Goga Basket.

Basketboll – Meshkuj, finale play off

Ndeshje 1, Goga Basket – Teuta, 84-88

Ndeshje 2, Teuta – Goga Basket, 72-73

12 maj, Goga Basket – Teuta, ora 18:00 (Akademia Goga)

15 maj, Teuta – Goga Basket, ora 18:00 (Durrës)

*Barazim 1-1 me ndeshje midis Goga Basket dhe Teutës

Lajme të tjera

Lajmet e fundit