Kosova dhe Anglia në grup; Shqipëria U-21 mëson kundërshtarët e kualifikueseve të Europianit

28 Janar 2021
14:44
Alfred Lleshi
back button

U hodh sot nga UEFA shorti i kualifikueseve të Europianit për kombëtaret U-21. Kuqezinjtë tanë kanë rënë në një grup (G) me Anglinë, Republikën Çeke, Slloveninë, Kosovën dhe Andorrën. Fushata në grupe do të zhvillohet nga marsi 2021 deri në qershor 2022. Më tej, sipas planifikimit, vjen faza e “play-off”-it, e cila do të zhvillohet në shtator 2022. Kujtojmë se finalet e këtij kompeticioni janë programuar për në periudhën qershor-korrik 2023. Interesant është fakti se Shqipëria U-21 bie sërish në të njëjtin grup me Kosovën, Anglinë dhe Andorrën, si në fushatën e fundit kualifikuese.

Bashkëpritësit e turneut, Gjeorgjia dhe Rumania, kualifikohen drejtpërdrejt për fazën finale (qershor-korrik 2023). Ndarja në vazo para shortit bazohej në sistemin e renditjes sipas koeficientëve. Shorti i ndau skuadrat në tetë grupe me nga gjashtë skuadra, me vetëm një grup me pesë skuadra. Secili grup përmban një ekip nga secila vazo, përveç Grupit I, i cili nuk ka asnjë ekip nga vazo 6. Nëntë fituesit e grupeve dhe skuadra e dytë më e mirë (pa llogaritur rezultatet ndaj ekipeve të vendit të gjashtë) do të kualifikohen drejtpërdrejt në fazën përfundimtare. Tetë skuadrat e tjera të dyta më të mira do të luajnë “play off” për katër vendet e mbetura në fazën finale.

Bazuar në vendimet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të vlefshme në kohën e hedhjes së shortit, çiftet e mëposhtme të ekipeve nuk mund të pozicionohen në të njëjtin grup:
Armenia & Azerbajxhani
Gjibraltar & Spanjë
Bosnja dhe Hercegovina & Kosova
Kosova & Serbia
Kosova & Rusia
Rusia dhe Ukraina

Ja të gjitha grupet:
Grupi A
: Kroacia, Austria, Norvegjia, Finlanda, Azerbajxhani, Estonia

Grupi B: Gjermania, Polonia, Izraeli, Hungaria, Letonia, San Marino

Grupi C: Spanja, Rusia, Sllovakia, Irlanda e Veriut, Lituania, Malta

Grupi D: Portugalia, Greqia, Islanda, Bjellorusia, Qiproja, Lihtenshtejni

Grupi E: Hollanda, Zvicra, Bullgaria, Uellsi, Moldavia, Gjibraltari

Grupi F: Italia, Suedia, Republika e Irlandës, Bosnja dhe Herzegovina, Mali i Zi, Luksemburgu

Grupi G: Anglia, Republika Çeke, Sllovenia, Shqipëria, Kosova, Andorra

Grupi H: Franca, Serbia, Ukraina, Maqedonia e Veriut, Ishujt Faroe, Armenia

Grupi I: Danimarka, Belgjika, Turqia, Skocia, Kazakistani

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit