Kosova kandidate për Lojërat Mesdhetare 2030, Shqipëria konfirmon mbështetjen

17 Maj 2023
12:35
Telesport
back button

Kosova ka hedhur kandidaturën për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, që do të organizohen në Prishtinë. Ndërkohë që, Shqipëria do ta mbështesë këtë kandidaturë, duke lehtësuar procesin e përgatitjes dhe organizimit të garave të sportit të lundrimit në bregdetin shqiptar.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi si dhe Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku nënshkruan marrëveshjen që mbështet kandidaturën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Sipas kësaj marrëveshje, Shqipëria angazhohet për të mbështetur Kosovën në lehtësimin e procesit të përgatitjes dhe organizimit të garave të sportit të lundrimit.

Në takimin e zhvilluar në Tiranë mes dy ministrave përgjegjës për sportin në Shqipëri dhe Kosovë, Ministrja Evis Kushi i ofroi homologut të saj mbështetje maksimale, duke u shprehur se Shqipëria është e vendosur që të forcojë bashkëpunimin me Kosovën në çdo fushë dhe nismat e ndërmarra mes dy qeverive tona të vijojnë të zbatohen me sukses.

Mes institucioneve të varësisë të të dy ministrive përgjegjëse për sportin në Shqipëri dhe Kosovë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, do të ketë një koordinim të detajuar në bregdetin shqiptar, për procesin e përgatitjes dhe organizimit për zhvillimin e sportit të lundrimit, si pjesë e programit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, në përputhje me rregullat, standardet, dhe kërkesat e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare dhe organizatës ndërkombëtare të sportit përkatës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit