Kriza e Skënderbeut, arsyeja e vërtetë është në xhepat e futbollistëve

18 Dhjetor 2018
10:17
back button

Moment mjaft delikat te Skënderbeu, aty ku si rrallë në dekadën e fundit po provojnë krizën dhe 3 humbje rresht. Tre humbje erdhën edhe pranverën e shkuar, në fund të kampionatit, por Skënderbeu luante për qejf, ishte kampion dhe kishte luksin t'i dhuronte fitore tenistike Vllaznisë brenda në Korçë.

Tashmë situata është ndryshe, në pak javë korçarët jo vetëm që kanë dhuruar kryesimin, por kanë lëshuar edhe disa pozicione në renditje, aq sa tashmë janë më pranë pjesës së poshtme të tabelës, sesa majës së saj.

Trajneri Orges Shehi dha dorëheqjen të shtunën vonë, i dëshpëruar nga një utopi që ka mbërthyer ekipin dhe një gjendje e nderë në skuadër. Klubi ia refuzoi dorëheqjen dhe Skënderbeu e përgënjeshtroi lajmin e publikuar në Telesport.al, duke pretenduar se mediat nuk e duan Skënderbeun, diçka krejtësisht absurde, pasi Skënderbeu është ndër klubet që prodhon lajme dhe shet lajme, ndaj detyrimisht gazetarët e "dashurojnë", duan apo nuk duan, edhe nëse janë tifozë me klube të tjerë.

Telesport zbulon nga burime brenda skuadrës edhe një nga arsyet, ose më saktë arsyen e vërtetë, pse kohët e fundit asgjë nuk po funksionon.

Shkaktari kryesor i krizës te Skënderbeu qëndron te pagat e futbollistëve dhe kjo konfirmohet nga burime të sigurta brenda klubit bardhekuq.

Futbollistët e Skënderbeut kanë të paktën 3 muaj pa marrë pagat. Kjo situatë është e përsëritur dhe para disa javësh pati edhe një bojkot të shkurtër, demonstrativ, që mori fund kur presidenti Ardian Takaj hodhi nga një pagë në llogaritë e futbollistëve.

Megjithatë, tashmë është fundi i vitit, futbollistët mendojnë edhe për shpenzimet e festave dhe duan të paguhen. Sipas rregullores, 3 muaj pa paguar krijojnë mundësinë për të prishur kontratën në mënyrë të njëanshme, por për shumë arsye asnjë futbollist nuk dëshiron ta lërë Skënderbeun.

Vonesat e pagave, por edhe "Shpata e Damokleut" nga CAS, që do vendosë për dënimin e UEFA-s, kanë futur në panik futbollistët, që nuk janë aspak të qetë dhe jo më kot trajneri Shehi kërkoi largimin, sepse e sheh që futbollistët nuk janë të përqendruar dhe duket sikur nuk po u bën përshtypje ecuria negative.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit