Futboll

Krizë te Skënderbeu, titullarët bojkotojnë stërvitjen

Nga jashtë duket se te Skënderbeu gjithçka shkon në mënyrë perfekte, për shkak të rezultateve shumë të mira, shenjë se rinovimi i madh veror ka qenë zgjedhja e duhur, por pas fasadës plot shkëlqim gjërat nuk shkojnë aspak mirë.

Ka kohë që flitet për probleme me pagat dhe ka lojtarë që nuk janë paguar ende për sezonin e ri, ndërsa të tjerë kanë paga të sezonit të shkuar pa marrë, por deri tani nuk kishte asnjë prononcim zyrtar, nga drejtues apo lojtarë, ndaj gjithçka mbetej në rangut e thashethemit pa vlerë, edhe për faktin se në Korçë lojtarët kanë qenë gjithnjë të qetë financiarisht, edhe në rastet kur janë vonuar pagat.

Megjithatë, dita e hënë ka prodhuar një ngjarje të re, të bujshme, sepse titullarët e ekipit nuk kanë dalë në stërvitje. Ndonëse askush nuk ka pranuar të flasë, duket se bëhet fjalë për një bojkot si protestë për vonesën e pagave, sipas Panorama-Sport. Shumica e lojtarëve nuk durojnë dot më një situatë ku gjithçka është pezull dhe tashmë kanë kërkuar reagim nga presidenti Ardjan Takaj.

Ky i fundit duket se e ka mendjen te përballja finale me UEFA-n në CAS dhe ndoshta prej aty do të varen shumë gjëra, por lojtarët i druhen konfirmimit të dënimit të Skënderbeut dhe pasojat që mund të sjellë përjashtimi afatgjatë nga kupat e Europës, sepse nuk dihet çfarë do të ndodhë me pagat e tyre në rast se presidenti Takaj lë drejtimin e klubit.

Më shumë nga Futboll