Nations League

Kroacia e “çmendur” shënon në fund dhe mban gjallë shpresat e kualifikimit

Kroacia ka mposhtur 3-2 Spanjën në sekondat e fundit të takimit me interesant luajtur sot në Nations League, duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikim. Ndeshja nisi me spanjollët që kishin kontrollin e topit, por kroatët ishin të rrezikshëm në kundërsulme. Perisic pati dy mundësi të mira në minutat e para të ndeshjes, por njëra u prit nga De Gea, ndërsa tjetra përfundoi jashtë. Spanjollët nuk arrinin të depërtonin në prapavijën e ballkanasve dhe ndeshja kryesisht u zhvillua në mesin e fushës.

Pas pushimit ishin kroatët ata që kaluan në avantazh me golin fantastik të Kramaric. Sulmuesi lëshoi një goditje të saktë nga brenda zonës, duke mposhtur De Gea-n.

Dy minuta më pas erdhi goli i barazimit: Isco i dha një top të bukur shokut të ekipit te Real Madridi, Dani Ceballos, i cili shënoi me lehtësi nga pranë portës.

Ndeshja mori zjarr pas dy golave të shpejtë dhe skuadrat rrezikuan më shumë për të gjetur golin e avantazhit. Në minutën e 69-të kroatët kaluan në avantazh me golin e Jedvaj. Pak minuta më pas Rebic mund të kishte siguruar fitoren, kur doli vetëm për vetëm me portierin, por goditja e tij ishte e pasaktë. Një tjetër rast i shpërdoruar, këtë herë nga Morata vetëm pak sekonda më pas. Gjithsesi, në minutën e 77-të Spanja fitoi një penallti pas topit të prekur me dorë në zonë, e cila shndërrohet në gol nga Sergio Ramos. Minutat e fundit ishin të tensionuara dhe në sekondat e fundit të takimit Kroacia gjeti golin e fitores me Jedvaj. Një dygolësh që do ta mbajë mend gjithë jetën.

Ndeshja tjetër e League A u fitua nga Belgjika 2-0 ndaj Islandës, falë dygolëshit të Batshuayi, me belgët që ruajnë vendin e parë të grupit 2.

Në League B kishte vetëm një ndeshje ditën e sotme, ajo mes Austrisë dhe Bosnje Hercegovinës, e cila përfundoi me rezultatin 0-0.

Në League C, Greqia mposhti Finlandën me rezultatin e ngushtë 1-0, me autogolin e Granlund në pjesën e parë, duke ruajtur vendin e dytë në grupin 2, por tashmë Finlanda feston, sepse e ka fituar matematikisht grupin. Ndërkaq, Hungaria ka fituar 2-0 ndaj Estonisë në shtëpi. Me këtë fitore Hungaria mbetet në vend të tretë, duke shmangur rënien nga Liga.

Në League D Andorra dhe Gjeorgjia kanë ndarë nga një pikë në barazimin 1-1, me gjeorgjianët që janë kualifikuar para kohe. Bjellorusia ka mposhtur Luksemburgun në shtëpinë e këtyre të fundit, teksa ka fituar 2-0 duke u ngjitur në vendin e parë të grupit, ndërsa Luksemburgu bie në të dytin.

San Marino nuk ka arritur ta ruajë barazimin, teksa Moldavia ka shënuar në fund të takimit duke fituar 1-0. Moldavët aktualisht ndodhen në vend të tretë, vetëm një pikë më pak se Luksemburgu në grupin 2, por tashmë kualifikimi duket i Bjellorusisë.

Më shumë nga Nations League