Kryegolashënuesi i Champions-it “driblon” Realin dhe Juventusin

13 Nëntor 2019
12:41
Alfred Lleshi
back button

Sulmuesi i RB i Salzburgut, Erling Haaland, një nga zbulimet e futbollit europian dhe golashënuesi më i mirë i Champions-it për këtë edicion, dha një intervistë për gazetën norvegjeze “Dagbladet”, në të cilën nuk pranoi të zbulonte të dhëna për të ardhmen e tij, pavarësisht se kërkohet nga klubet më të mira në kontinent.

Si ndiheni mes zërave se të kërkojnë klubet e mëdha?
I marr mirë.

Juventusi, Manchester United dhe Real Madridi…; a do të dëshironit të luanit në ndonjërin prej tyre?
E dini përgjigjen time. Asnjë koment.

Si do të ishte sikur të luanit me idhullin tuaj, Cristiano Ronaldon, te Juventusi?
Sërish pa koment.

Haaland, i cili bëri famë pasi shënoi nëntë gola në të njëjtën ndeshje me Norvegjinë në Kupën e Botës U-20 kundër Honduras, shpjegoi disa nga sekretet e tij në këtë sezon të parë në elitën e futbollit europian, në të cilin po nxjerr në pah aq shumë: “Unë fle me pesë topat, me të cilët realizova “hat-trick”. Shtrihem në shtrat me to dhe ndihem mirë. Unë i shikoj ato çdo ditë, janë të dashurat e mia (qesh)”.

Sulmuesi norvegjez është i përqendruar këto ditë me ekipin e tij kombëtar, në kërkim të biletës direkte për “Euro 2020”: “Qëllimi është të marrim dy fitore. Nëse nuk kualifikohemi dot në Europian, fitorja është e rëndësishme për renditjen e FIFA-s. Pastaj do të na prisnin dy prova të rëndësishme në “play off”, Liga e Kombeve në mars”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit