Kthehet Champions, kthehen makthet për PSG

11 Shkurt 2019
11:05
back button

Paris Saint-Germain ka vite që e ka kthyer në pronë private Ligën 1 franceze dhe po ashtu ka vite që ëndërron triumfin në Champions League, por dështon rregullisht pa iu afruar fare trofeut madhor.

Këtë sezon u duk se erdhi momenti i duhur: skuadër e kompletuar, yje në çdo repart, sulm stratosferik, short i favorshëm me një Manchester United që në fund të vitit të shkuar ishte në kaos total.

Vetëm 2 muaj pas hedhjes së shortit, gjithçka ka ndryshuar. Me Ole Gunnar Solskjaer, United ka zbuluar se di të luajë, të zbavitet,të shënojë dhe të fitojë, ndërsa përballja në Champions vjen në momentin më të keq të mundshëm për PSG.

Francezët kanë pasur shumë luhatje në lojë e rezultate kohët e fundit, por mbi të gjitha udhëtimi për në Old Trafford mund të kthehet në një makth, duke parë mungesat e rëndësishme.

Ndoshta Thomas Tuchel nuk ka të drejtë të ankohet, duke parë se punon për një ndër klubet më të pasur në planet, por në këtë moment trajneri gjerman ka një mungesë të theksuar lojtarësh cilësorë.

Neymar, futbollisti më i shtrenjtë në histori, është dëmtuar sërish në këmbë, ashtu si një vit më parë, ndërsa Edinson Cavani shënoi dhe u dëmtua javën e shkuar ndaj Bordeaux, ndaj shpresa e klubit është që të dy të kthehen për ndeshjen e muajit të ardhshëm në Paris.

"Kështu është e tepër, kemi humbur dy lojtarë cilësorë për ndeshjet vendimtare në Champions League. Nuk është e mundur të humbasësh gjithë lojtarët e aftë të luftojnë në nivelet më të larta të futbollit. Nuk kemi një zëvendësues për Cavanin, nuk kemi një zëvendësues për Neymar. Nuk po studiojmë më ndonjë plan B, por kemi kaluar te plani D", tha i dëshpëruar fundjavën e shkuar Tuchel i cili në stol ka vetëm Eric-Maxim Choupo Moting,, një futbollist që ka shënuar vetëm një gol në 595 minutat që ka luajtur këtë sezon.

Hallet nuk mbarojnë në sulm, sepse edhe mesi i fushës është shqetësim madhor. Marco Verratti duket se është riaftësuar në kohë për ndeshjen në Angli, por është e qartë që nuk është në formën e tij më të mirë. Adrien Rabiot është në luftë me klubin dhe nuk luan prej dy muajsh, edhe pse është lejuar të kthehet në stërvitje me ekipin e parë. Leandro Paredes sapo është transferuar në Paris dhe ka luajtur vetëm në dy ndeshje ndaj ekipeve të kategorisë së katërt, ndërsa në janar klubi nuk bëri asgjë për t'u përforcuar, duke bërë që trajneri Tuchel dhe drejtori sportiv Antero Henrique tashmë të jenë praktikisht armiq.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit