“Ku na i keni gjetur këta”, – lojtarët e Tiranës kapen me njëri-tjetrin

19 Maj 2019
9:58
Eraldo Harlicaj
back button

Tirana ka prekur pikën zero! 24 titujt kampionë janë thjesht një e shkuar e bukur, pasi ekipi aktual është në gjendje skandaloze. Ndeshja ndaj Kastriotit e tregoi dhe njëherë diçka të tillë, pasi bardheblutë mund të humbisnin në shtëpi ndaj kurtanëve. Djemtë e Devollit nëse do ishin treguar më të qetë do të kishin dalë nga "Selman Stërmasi" me 3 pikë. 

Kryeqytetasit e nisën ndeshjen me autogol, pasi fillimisht ishte presidenti Refik Halili që deklaroi hapur se nuk i llogariste krutanët dhe se do të fitonin ndaj tyre, ndërsa ekipi në fushë e la në baltë. 1 pikë që në letër i bën më shumë punë Tiranës, por javën e ardhshme do të shkojë në Laç, një betejë e ashpër. 

Problemet brenda grupit – Tirana nuk ka një grup të bashkuar. Takimi i djeshëm e tregoi qartë diçka të tillë, pasi në ndeshjen ndaj Kastriotit u shfaq ana më e shëmtuar e lojtarëve. Imami që i thërret Grecës brenda fushës: "O Grece, o idiot ndiqe topin". Ky i fundit që ia kthen menjëherë. "Mbylle gojën, *******". E skena më e rëndë është ajo me Hoxhallarin kur i kthehet trajnerit Mema: "Ku i keni gjetur këta (i referohet lojtarëve me ngjyrë), këta nuk luajnë". 

Skena dhe veprime që tregojnë qartë se harmonia është shumë larg dhe në rastin më të keq ka përçarje ndërmjet të huajve dhe shqiptarëve. Një situatë e tillë ka ekzistuar dhe në kohën kur në krye të stolit ishte braziliani Ze Maria, e duket se vazhdon dhe tani. 

Shpirti i garës – Në një ndeshje ku luan gjithçka për të mbijetuar minimalisht duhet të japësh 120% nga vetja dhe nëse nuk ke futboll në këmbë. Ekipi i Kastriotit po nxirrte flakë, ndërsa futbollistët e bardhebluve më shumë ecnin në fushë se sa vraponin. E tepërt!

Mema – Nuk është pa faj as trajneri Ardian Mema. Numri një i stolit nuk po arrin të motivojë dhe mbledhë ekipin si duhet. Lojtarët duken se po presin me padurim mbarimin e kampionatit dhe tekniku i tyre është stërmunduar nga situatat që ka momentalisht Tirana.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit