Kualifikim dramatik i Laçit, eliminohet Partizani pas 10 penalltish

17 Mars 2021
15:46
Alfred Lleshi
back button

Ndeshja Laçi-Partizani nuk pati fitues në kohën e rregullt, ndaj u nevojit koha shtesë, dy herë nga 15 minuta, për të zbuluar gjysmëfinalistin tjetër të Kupës së Shqipërisë më pas nga penalltitë. I pari që kreu punë ishte Skënderbeu, duke eliminuar Dinamon me rezultatin 3-1.

Luftë e fortë sportive mes kurbinasve dhe të kuqve, me të dyja skuadrat të vendosura për të përparuar më tej në Kupën e Shqipërisë. Fillimisht pati ankth, ku Nwabueze u rrëzua pa ndjenja përtokë. Bomberi i bardhezinjve nuk e la fushën, gjithsesi, pas ndihmës mjekësore. Rikthimi në fushë i tij, pas dënimit, duhej parë si test i vërtetë edhe për trajnerin Duro. Me kalimin e minutave, rastet krijohen në të dyja portat, teksa ka edhe pretendime për penallti. Kryesori Meta nuk mendon kështu, gjithsesi. Tensioni përfshiu edhe dy pankinat, në pjesën e dytë, kur u tentua një përplasje fizike.

Sidoqoftë, goli nuk doli në dritë, me skuadrat tepër të kujdesshme për të mos pësuar. Ritmi ra disi në kohën shtesë, me lojtarët që mendonin më shumë të mos pësonin, ndoshta duke u pajtuar me “ruletën” e penalltive. Së andejmi është edhe çështje përqendrimi dhe fati. Nga pika e bardhë triumfoi Laçi, pas 10 penalltive të goditura. Një herë gabouan vendësit nga pika e bardhë (Musta) dhe dy herë të kuqtë (Bardhi dhe Cara).  Kujtojmë se prej orës 16:00 do të luhen edhe dy çerekfinalet e tjera: Teuta-Kukësi dhe Vllaznia-Korabi.

Laçi-Partizani 0-0 (4-3 pen)

Penalltitë:
Laçi: Shehu +, Musta -, Ignatovic +, Deliu +, Mazrekaj +,

Partizani: Çinari +, Mala +, Bardhi -, Cara -, Murataj +

Lajme të tjera

Lajmet e fundit