Kukësi përgatitet për rinisjen e sezonit ndaj Luftëtarit, trajneri Shehi rikuperon yllin e ekipit!

2 Qershor 2020
13:00
Telesport
back button

Kukësi përgatitet për të rinisur sezonin aty ku e la, edhe pse diferenca me kreun prej 9 pikësh (Tirana komandon) kur kanë mbetur edhe dhjetë javë kampionat duket e vështirë të sheshohet nga verilindorët.

Megjithatë, fjalia “shpresa vdes e fundit” vazhdon të jetë e pranishme në kampin kuksian, që megjithatë më shumë duhet t’i druhet ekipeve që ndjekin dhe duan një vend në Europë.

Ndeshja e parë post-pandemie do të jetë ndaj Luftëtarit, në “Elbasan Arena”, ndërsa lajmi i mirë është rikuperimi i Vesel Limaj, që edhe pse nuk do të jetë 100% të formës, mund të jetë deçiziv për formacionin e Shehit.

Pikërisht trajneri, në konferencën e zakonshme për shtyp theksoi se ” “pas një periudhe shumë të gjatë për shkak të asaj që ndodhi, ne jemi shumë të kënaqur që rikthehemi në fushë. Jemi përgatitur me aq mundësi sa kemi pasur, në mënyrë që të jemi gati për kampionatin”.

“Për shkak të periudhës së gjatë të pezullimit, më shumë i frikësohem dëmtimeve dhe shpresoj që të mos kemi probleme në këtë drejtim. Ndeshja me Luftëtarin? Në pozicionin ku jemi, çdo ekip ka rëndësinë e vetë, 3 pikët janë njësoj si me Partizanin dhe Luftëtarin dhe do të luajmë për fitore”.

“U grumbulluam në Elbasan duke ditur për kushtet e mira që janë këtu dhe rëndësinë që i dhamë kësaj faze, në mënyrë që skuadra të qëndrojë bashkë dhe për tu përgatitur sa më mirë për kampionatin, na ka shërbyer shumë. Jam i kënaqur për mënyrën se si janë stërvitur çunat me një seriozitet maksimal. Me ne është bashkuar edhe Limaj, i cili nuk mund të jetë 100%, por grupi është i plotë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit