Kukësi prezanton Shehin, ja detajet e kontratës së trajnerit të ri

2 Mars 2020
12:16
Alfred Lleshi
back button

Ikën Shpëtim Duro, vjen Orges Shehi. Kjo është rokada në stolin e Kukësit, që është zyrtarizuar mesditën e sotme. Ish-portieri i disa skuadrave në vendin tonë, edhe pjesë e kombëtares, që trajnerin e bëri për herë të parë e të vetme te Skënderbeu, edicionin e kaluar, ka marrë në dorë frenat e nënkampionëve të vendit. Me një objektiv të qartë e të vetëm: fitimin e titullit kampion! Në të kundërt, Gjici ia ka paracaktuar fatin: shkarkim, si Duro e mjaft të tjerë nga ai stol i nxehtë, që ngjan shumë me një “karrige elektrike”. Prezantimi i Shehit është bërë nga drejtori sportiv i verilindorëve, Nderim Nexhipi. Përmes faqes së klubit, zbulon detajet:

“Zyrtare! Klubi i Kukësit njofton se ka arritur marrëveshjen me trajnerin Orges Shehi, për të marrë drejtimin e skuadrës. Pas bisedimeve që klubi ka pasur me teknikun, është gjetur gjuha e përbashkët dhe Shehi ka firmosur me Kukësin deri në verën e vitit 2021! Në ambientet e “Air Albania”, Shehi është prezantuar nga administratori Lavdrim Gjici dhe drejtori sportiv, Nderim Nexhipi. Shehi në karrierën e tij futbollistike ka arritur të fitojë trofe të shumtë me Skënderbeun, si dhe numëron paraqitje në grupet e Ligës së Europës. Aventura si trajner nisi një vit më parë, kur për një sezon drejtoi skuadrën e Skënderbeut. Klubi i uron Shehit mirëseardhje dhe suksese në krye të stolit të Kukësit. Forca Kukësi!”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit