Kukësi rikthehet në atdhe, ja axhenda deri në përplasjen me kurbinasit

18 Janar 2019
9:53
Alfred Lleshi
back button

Kukësi iu ka dhënë fund ditëve turke, duke mbyllur përgatitjet dimërore në Antalia. Prej andej është kthyer mbrëmë, duke marrë me vete ngrakesat fizike për çdo futbollist, paraqitjen e mirë në tri miqësoret e luajtura dhe kolaudimin e grupit.

Trajneri Armando Cungu do të fokusohet tashmë te kundërshtarët e radhës, në Kupën e Shqipërisë dhe kampionat, pasi t’i lërë të tijtë dy ditë pushim në Shqipëri. Në njoftimin e klubit verilindor bëhet me dije: 

“Kukësi ka mbërritur në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Antalia, qytet të cilin ekipi ynë prej vitesh e përzgjedh për fazën përgatitore, kemi zhvilluar 3 ndeshje miqësore, si dhe nga dy seanca stërvitore në ditë. Stafi teknik ka vendosur që, pas fazës përgatitore, skuadra të bëjë 2 ditë pushim”.

Kujtojmë se nënkampionët e vendit do ta nisin zyrtarisht vitin 2019 me dy ndeshje: ndaj Apolonisë dhe Laçit. Sfida e parë është në kuadrin e Kupës së Shqipërisë dhe do të luhet më 23 janar, ora 14:00, ndërsa e dyta për kampionat. Kjo e fundit do të luhet më 26 janar, ora 14:00, për llogari të javës së 19-të të Kategorisë Superiore.

Për momentin, Kukësi mban vendin e dytë në klasifikim, në kuotën e 34 pikëve, tri të tilla më pak se Partizani kryesues. Objektivi i presidentit Safet Gjici është fitimi i titullit kampion, gjë për të cilën ka bërë edhe dy blerje të goditura në merkaton e janarit. Sulmuesi Shkurtaj dhe mesfushori Rroca kanë ardhur nga Luftëtari dhe janë tashmë nën urdhërat e trajnerit Cungu për pjesën e dytë të sezonit.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit