Kukësi troket sërish te Luftëtari, tani do një mbrojtës, por duhen para “kesh”!

5 Janar 2019
11:48
Anton Cicani
back button

Pasi siguroi Vasil Shkurtajn dhe Eduard Rrocan, Kukësi nuk ndalet. Ashtu si presidenti Safet Gjici pati thënë edhe në daljet për shtyp, pra që ky është vetëm fillimi dhe do të ketë afrime të tjera, bastisja e Luftëtarit vazhdon. Prej disa ditësh, kreu i verilindorëve, ka nisur kontaktet me presidentin e klubit gjirokastrit, Tavo, duke përfshirë këtë herë në temën e diskutimit një futbollist brazilian. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të majtë, Jackson Silveiro Ferriera.

Me largimin e Vangjel Zguros, trajneri Cungu kërkon një zëvendësues të denjë. Braziliani, kontrata e të cilit skadon në fund të këtij sezoni, është profili ideal. Këtë sezon ka luajtur 16 ndeshje, ndërsa është në vitin e dytë me gjirokastritët, pasi u mor përpara dy sezonesh nga skuadra greke e Trikalas.

Por, sa i përket transferimit, ka një pengesë të madhe që quhet "karton". Nëse për Shkurtajn dhe Rrocan, Kukësi nuk ka dhënë para, por ka vetëm një akord në lidhje me rishitjen, duke përfshirë një përqindje të lartë në favor të bluzinjve, për brazilianin duhen para. Ndryshe, asgjë nuk do të bëhej.

Tavo do të kënaqej edhe me 40 mijë euro vetëm për të mos e humbur me zero. Palët do të diskutojnë sërish, për faktin se Jackson është edhe në fokusin e Partizanit dhe Skënderbeut gjithashtu.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit