Kukësi-Vllaznia, trajneri Brdaric largon “fantazmat” e fitores 6-3

23 Tetor 2021
12:42
Alfred Lleshi

Kukësi-Vllaznia është një nga sfidat kryesore të javës së 6-të të Superiores, e cila do të luhet nesër në “Arena Egnatia”, prej orës 13:45. Kuqeblutë janë me sytë nga kreu, të frymëzuar maksimalisht nga fitorja e shkëlqyer 6-3 ndaj Dinamos. Megjithatë, trajneri Thomas Brdaric mundohet të largojë euforinë te të tijtë, duke njohur vlerat e kundërshtarit të radhës. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kukësin, trajneri kroato-gjerman tha para gazetarëve:

“Jemi të lumtur për fitoren ndaj Dinamos, sepse ka krijuar atmosferë të mirë në ekip dhe Shkodër. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se kemi kaluar në eufori. Përkundrazi, kërkojmë të kemi vazhdimësi. Duhet të stërvitemi sa më shumë që të marrim fitoret e radhës.

Kukësi? Jemi përgatitur për ndeshjen e nesërme. Sot kemi stërvitjen e radhës, ku do të merremi me disa detaje të rëndësishme. Më pas do të udhëtojmë drejt Durrësit, ngaqë do ta luajmë ndeshjen në stadiumin “Arena Egnatia”. Shpresoj që fusha të jetë në gjendje të mirë, pasi reshjet e shiut ishin të forta në Shkodër, por nuk e di sesi kanë qenë në Rrogozhinë. Për të dyja ekipet do të jetë diçka e veçantë, pasi edhe Kukësi nuk luan në shtëpi. Shpresoj që puntorët e fushës ta kenë mbajtur fushën në gjendje të mirë dhe të luajmë një ndeshje të bukur.

Difektet në mbrojtje? Kemi punuar veçmas me këtë repart, por procesi i ndërtimit të një skuadre bëhet ndeshje pas ndeshjeje, kërkon kohë. Po mundohemi të punojmë sa më shumë dhe të korigjohemi në ato aspekte ku kemi probleme. Jam i kënaqur nga djemtë, po punojmë të githë bashkë.

Çdokush duhet ta kuptojë se është diçka e veçantë të luash për Vllazninë. Në secilën ndeshje, lojtarët duhet të dëshmojnë dëshirë e përkushtim për të luajtur në ekipin tonë. Kukësi bën presing lart dhe luan futboll të bukur. Ne duhet të jemi përkushtuar ndaj këtij kundërshtari, të japim më të mirën, nëse duam rezultat pozitiv.

Fitore dhe vendi i parë? Do të ishte bukur, por Kukësi nuk do të na lejojë shumë hapësira. Duhet të punojmë shumë për të marrë atë që kërkojmë nga ndeshja. Nëse fitojmë, atëherë kemi shanse për të kapur vendin e parë pas javës së gjashtë”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit