Kukëzi zyrtarizon dy përforcime të reja, Musolli ia vë sytë Superkupës

17 Gusht 2019
14:24
Alfred Lleshi
back button

Kukësi ka zyrtarizuar dy përforcime të radhës, në prag të nisjes së sezonit të ri. Nuk bëhet fjalë për futbollistë, por për stafin teknik. Kështu, ndihmës i Shpëtim Duros do të jetë Sero Noka, ndërsa përgatitës atletik Andi Kulli. I pari vjen nga Le Havre, pas eksperiencave si zv.trajner i kësaj skuadre si dhe trajner i skuadrave të akademisë atje. I dyti ka qenë pjesë e stafit teknik te Partizanit dhe do të jetë përgjegjës për përgatitjen fizike të verilindorëve.

Ndërkohë, kapiteni Besar Musolli, në konferencën për shtyp para finales së Superkupës së Shqipërisë, kundër Partizanit, ka analizuar situatën te të tijtë: “Kemi bërë një fazë të mirë. Nuk kemi pasur pushim, kemi qenë në aktivitet gjithë kohës. Shpresoj të jetë dita jonë dhe të dalim triumfues nga finalja. Duam të fitojmë. Shpresoj ta zgjidhim gjithçka në kohën e rregullt, të mos shkojë puna deri tek penalltitë. Më pas, nëse më besohet, jam i gatshëm të gjuaj edhe penallti. Ndoshta e shënoj unë penalltinë e fundit dhe i jap fitoren ekipit, kurrë nuk i dihet.

Aspekti personal? Kam kaluar një periudhë të vështirë, por që kur jam rikuperuar e deri tani nuk kam pasur asnjë shqetësim. Jam shumë mirë fizikisht. Shpresoj të vazhdoj kështu. Të larguarit? Normale që më vjen keq për ata, kanë qenë shokë shumë të mirë, për shumë vite. Por, ky është futbolli. Tani, iu uroj fat. Për momentin, siç e tha edhe profesor Duro, Partizani është pak më para se ne. Me disa afrime, edhe ne do të jemi aty. Kemi lojtarë shumë të mirë dhe cilësorë. Nuk besoj se ka diferenca të mëdha në Superiore.

Për momentin është Tirana dhe Partizani. Ndoshta dhe Teuta. Mes këtyre ekipeve do jetë rivaliteti më i madh. Nuk më pëlqen të bëj krahasime me ekipet që kemi pasur më përpara. Por, me ato lojtarë që kemi në ekipin aktual, do të mundohemi të marrim maksimumin. Ardhjet e reja duan pak kohë sa të ambientohen. Ndaj Partizanit është një finale, ne duam ta fitojmë patjetër Superkupën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit