Kumbulla “amnistohet” te Roma, ja arsyet pse Mourinho e ktheu në ekip shqiptarin

27 Tetor 2021
10:47
Alfred Lleshi
back button

José Mourinho ndjek linjën e ashpër te Roma, vazhdon të bëjë pa “të spastruarit”. Pas përjashtimit të rezervave në ndeshjen e së dielës së kaluar ndaj Napolit, trajneri portugez ka vendosur të mos thërrasë Villar, Diawara, Reynolds dhe Borja Mayoral për ndeshjen jashtë fushe, në Cagliari. I vetmi i thirrur nga të përjashtuarit e të dielës së kaluar është Marash Kumbulla.

Ka më shumë arsye për rikthimin e tij në ekipin e parë dhe grumbullimin për transfertën ndaj Cagliari. E para është më logjike, domosdoshmëri; sepse pa Smalling, shqiptari është i vetmi qendërmbrojtës në dispozicion të Romës. Prandaj, duket thelbësore për të pasur një zëvendësues në stol në rast dëmtimesh apo ndryshimesh taktike.

Mancini dhe Ibanez u lënduan gjatë ndeshjes kundër Napolit dhe Mou nuk kishte asnjë qendërmbrojtës në dispozicion. Kështu, trajneri e riktheu Kumbullën në mënyrë inteligjente në grup, për të pasur të paktën një alternativë në stol, duke ditur mungesën e Smalling deri pas kualifikueseve të kombëtareve në nëntor.

Arsyeja e dytë lidhet me sjelljen e Kumbullës. Menjëherë pas humbjes 6-1 ndaj Bodo-Glimt, lojtarët folën me njëri-tjetrin, u përballën për të kuptuar gabimet që çuan në një disfatë kaq të rëndë. Kumbulla i kërkoi falje skuadrës dhe trajnerit për paraqitjen. Një “mea culpa” që vijoi më pas në rrjetet sociale, me një postim të publikuar dy ditë më parë:

“Nga gabimet mëson. Pak fjalë, shumë punë! Para Roma”. Një mesazh i vlerësuar veçanërisht nga tifozët e Romës dhe shokët e tij të skuadrës (në dhomat e zhveshjes kishte ‘like’ nga senatorët). Dhe kush e di, ndoshta edhe nga Mourinho, që ka vendosur ta thërrasë për transfertën ndaj Cagliari.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit