Kumbulla “futi në xhep” CR7 dhe Lukakun, tani e ka radhën Ibrahimovic…

24 Tetor 2020
13:19
Alfred Lleshi
back button

Verdhekuqtë janë magjepsur nga Kumbulla. Mbrojtësi brenda disa ditësh bëri debutimin e tij në ekipin kombëtar dhe në “Europa League”. Në këtë të fundit shënoi edhe golin e sigurisë për Romën. Duke pasur parasysh mungesat e Mancini dhe Smalling, ai do të jetë ende i nevojshëm të hënën, në Milano. Shqiptari ishte blerja më e shtrenjtë e merkatos së verës për kryeqytetasit. Klubi investoi te ky mbrojtës edhe për të ardhmen. Marash është i lumtur në Romë, u ambientua shpejt aty.

Është bërë mik, veçanërisht me shokët e tij të rinj. Ka marrë edhe një shtëpi, midis “Casal Palocco” dhe “Trigoria”, por deri më tani mezi ka pasur kohë për të marrë çelësat, i gjendur midis shumë ditëve të udhëtimit me ekipin kombëtar dhe izolimit, që është detyruar të bëjë me Romën në “Trigoria” për shkak të rasteve të Covid-19. Kumbullës i pëlqen atmosfera e Romës, e di që tifozët janë shumë të apasionuar dhe do ta provojë këtë kur ata mund të kthehen në stadium.

Krenaria shqiptare
Historia e tij është e veçantë. Babai i tij, Lin, zbarkoi në Itali në vitin 1996 me një varkë të ngarkuar me emigrantë. Marash ka lindur në Peschiera del Garda, është italian në të gjitha aspektet dhe flet me një theks venecian. Sidoqoftë, mbeti i lidhur me atdheun e familjes së tij, ka kombësi shqiptare dhe është krenar që luan për vendin e tij. U ble nga Verona në shtator, qëndroi në stol në ndeshjen e parë si verdhekuq, por tashmë i ka treguar trajnerit Fonseca se mund ta meritojë titullarin në një ekip të shkëlqyeshëm si Roma.

Ai nënshkroi kontratë deri në vitin 2025, megjithëse huazimi do të skadojë më 2022, kohë kur klubi do të duhet të ushtrojë blerjen përfundimtare. Ai është lojtari i parë, i lindur më 2000, që aktivizohet nga Roma në garat europiane. Dhe e ka merituar, sepse ka treguar pjekuri, besim, personalitet. Ai ishte i kujdesshëm në mbrojtje, u rreshtua me dy lojtarë me përvojë në krah të tij, si Fazio dhe Juan Jesus. Por ishte ai që zgjidhi situatat më delikate.

Smalling nuk do t’ia dalë mbanë, Mancini është jashtë prej Covid-19. Për të ndaluar Ibrahimovic, trajneri Fonseca do të mbështetet te dy lojtarë të rinj qendrorë, Kumbulla dhe Ibañez. Janë veçse 41 vjeç të dy, do të mundohen të “prangosin” bishën 39-vjeçare të Milanit, Zlatan Ibrahimovic. Shqiptari ka provuar të bëjë “zap” edhe dy yje të tjerë të Serie A, Cristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku, sezonin e kaluar, kur luante me Verona. Madje, bomberi belg i Interit e ka pranuar publikisht se ka pasur markimin më të fortë në kampionatin italian prej shqiptarit 20-vjeçar. Edhe CR7, bashkë me Juventusin, e provuan “vulën” e Kumbullës, qartësisht. Tani është radha Ibrahimovic për ta provuar “darën” e yllit shqiptar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit