“Kumbulla, nga zbarkimi në Itali te goli në Europë: cikli i ri i Roma-s nis nga ai”

23 Tetor 2020
18:31
Denis Hakanaj
back button

Marash Kumbulla i ka dhuruar fitoren Roma-s në ndeshjen e luajtur të enjten në mbrëmje kundër Young Boys në Europa League. Një gol që për ForzaRoma.info mund të ketë qenë diçka më shumë se një gol i thjeshtë me vlerën e tri pikëve.

“Suksesi i Roma-s kundër Young Boys mund të jetë një shembull i vogël i një teme të madhe sociale që ka ndarë Italinë në vitet e fundit: goli i fitores i Marash Kumbulla-s, në  debutimin e tij absolut në Europë, arrin në përfundim të një rrugëtimi të nisur në 1996-ën, kur babai Lin zbarkoi në Çizme mbi një gomone të mbushur me emigrantë”, shkruan portali italian.

“Ai është rritur në Peschiera del Garda, por 20-vjeçari ka dashur gjithsesi të ruajë lidhjet me tokën e prindërve duke zgjedhur kombëtaren shqiptare. I riu Marash, me paraqitjet e bëra deri tani me Roma-n, i ka treguar Fonseca-s se sa shumë mund të mbështetet tek ai për të ardhmen”.

 

“Kalimi i stafetës nga të rriturit te të rinjtë po shikon momentin e finalizimit te Roma gjatë këtij sezoni: mendja e tifozit verdhekuq, romantiku i fundit, është e detyruar të braktisë ato kujtime që kanë bërë historinë e tyre, dhe që herë pas here kthehen (si filmi dokumentar mbi Totti-n). Është nga këtu që Kumbulla nis të hedhë bazat për të ardhmen e Roma-s së re, të cilën duhet ta shoqërojë deri në vitin 2025-së, nëse do të plotësohen kushtet për blerjen përfundimtare në fund të huazimit në vitin 2022″.

Rotacioni i djeshëm, për nga mënyra si është paraqitur nga stacionet radiofonike dhe televizive, e shihte Roma-n të zbriste në fushë vetëm me dy lojtarë ‘të mëdhenj’: Pedro dhe Cristante. Gabim. Sepse edhe pse Kumbulla s’ka pak që ka hyrë në të njëzetat, ndikimi që ka te ndeshjet është ai prej një lojtari të madh”.

“Dje ka ardhur gëzimi i golit të parë verdhekuq në Europa League, që i ka dhuruar skuadrës fitoren kundër Young Boys. ‘Ia dedikoj skuadrës, jam më i gëzuar për fitoren se për golin tim’, ka deklaruar lojtari i parë i lindur në vitet 2000 që është aktivizuar nga Roma në kompeticionet europiane, duke treguar një pjekuri të pazakontë për një njëzetvjeçar”.

“Qershia mbi tortë ka qenë një paraqitje e përkryer, sepse nuk duhej të mendonte vetëm për kundërsulmet e zviceranëve me Seoane (i ndalur rregullisht), por edhe për vrimat e krijuara në mbrojtje nga Juan Jesus dhe Fazio, më të mëdhenj se ai, por vetëm në moshë”.

“Smalling lufton kundër dëmtimit në gju, Mancini është jashtë për shkak të Covid-it. Roma është e qatë: me Kumbullën në anën e saj (bashkë me Ibanez) dyshja titullare e sezonit të kaluar mund të zëvendësohet denjësisht. Shqiptari ka humbur në Serinë A vetëm debutimin kundër ish-skuadrës (Verona) dhe ka grumbulluar 2 fitore (Udinese dhe Benevento) dhe një barazim (Juventus) për një total prej 4 golash të pësuar”.

“Në 205 minuta totale, qendërmbrojtësi ka prekur 153 topa, duke dhënë 113 pasime të sakta. 20-vjeçari duket një makinë perfekte, kur pason topin te një shok i skuadrës ia del pa probleme në 87% të rasteve. Në fazën mbrojtëse, janë 22 rastet në të cilët Kumbulla ia ka marrë topin nga këmbët kundërshtarëve”.

“Shifra që alarmojnë Smalling dhe Mancini-n për një vend në formacionin titullar në Roma-n 2.0 të Fonseca-s”, mbyllet shkrimi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit