Kupa e Italisë rikthen Piatek, polaku ekspozohet në “vitrinë” ndaj SPAL

15 Janar 2020
9:55
Alfred Lleshi
back button

Pasi tregoi shenja të rëndësishme rigjallërimi në kampionat, duke u imponuar 2-0 në fushën e Cagliari, Milani po përgatitet të bëjë debutimin e tij në këtë edicion të Kupës së Italisë. Kuqezinjtë do të presin SPAL, një kundërshtar në krizë rezultatesh. Dhe do ta bëjnë këtë duke ofruar atë, që është kostumi i ri, të cilin Stefano Pioli e ka qepur për ekipin e tij: 4-4-2. Trajneri nuk do të jetë në gjendje të llogarisë Gianluigi Donnarumma, ndaj vëllai i tij, Antonio, do të jetë në portë. 

Përpara do të rreshtohet mbrojtja me katër, që duhet të përfshijë Conti, të porsaardhurin Kjaer, Romagnoli dhe Theo Hernandez. Në mesfushë, Castillejo dhe Bonaventura do të formojnë krahët e jashtëm, ndërsa Krunic e Bennacer pjesën qendrore. Këto zgjidhje do t’i lënë Suso dhe Paquetà përsëri në pankinë. Në sulm do të ketë hapësira për Piatek nga minuta e parë. Sfida me SPAL mund të përfaqësonte një mundësi për rikthim të polakut, si dhe një vitrinë të rëndësishme. 

Tani, i eklipsuar nga Zlatan Ibrahimovic (kampioni suedez do ta fillojë nga pankina), sulmuesi i mbërritur në hijen e “Duomo” 12 muaj më parë, pas shkëlqimit te Genoa, do të ketë mundësinë të ekspozohet në “vitrinë”, mbase për të tërhequr vëmendjen e klubeve të gatshëm për ta blerë menjëherë. Siç raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, Milani tashmë e ka vendosur çmimin prej 30 milionë eurosh për të. Një performancë e mirë mund të tërheqë blerës të mundshëm. Leao do të jetë me polakun në repartin e përparmë. Të dy këta sulmues do të kenë punë me portierin shqiptar, Etrit Berisha, i cili është i vetmi që po mundohet të bëjë dallimin te SPAL.

Ja formacionet e mundshme
Milan-SPAL:
MILAN (4-4-2): A.Donnarumma; Conti, Kjaer, Romagnoli, Theo Hernández; Castillejo, Krunic, Bennacer, Bonaventura; Leao, Piatek.
SPAL (3-5-2): E.Berisha; Salamon, Vicari, Tomovic; Strefezza, Murgia, Valdifiori, Dabo, Igor; Paloschi, Floccari.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit