Kupa e Italisë: Triumfon Lazio, Strakosha fiton “derbin” me Gjimshitin

15 Maj 2019
22:47
Denis Hakanaj
back button

Lazio ka fituar Kupën e Italisë dhe ka siguruar kualifikimin në fazën grupe të Europa League pasi ka mundur Atalanta-n në finale me rezultatin 2-0. Heronjtë e ndeshjes, e cila dukej se do të shkonte me shtesë, kanë qenë Sergej Milinkovic-Savic dhe Correa, të cilë kanë vendosur sfidën në minutat 82' dhe 90'-të.

Ky ka qenë triumfi i shtatë në Kupën e Italisë për bardhekaltrit, të cilët kanë kapur Inter-in në renditjen e skuadrave me më shumë trofe të fituar në këtë kompeticion. Para tyre janë Juventus (13) dhe Roma (9). Ndërkohë, Atalanta, që nuk luante një finale të Kupës që nga sezoni 1962-63, është ndalur në momentin më të bukur.

Ka pasur pak Shqipëri në këtë finale, me Thomas Strakoshën që ka fituar derbin me Berat Gjimshitin dhe ka pasuruar koleksionin e tij me Kupën e Italisë numër dy, pas asaj të fituar në sezonin 2012-13 si lojtar rezervë. 

Lajmet e mira për Lazio-n nuk mbarojnë me kaq, sepse bashkë me Kupën e Italisë bardhekaltrit fitojnë edhe 10 milionë euro. Në ankandin e fundit të bërë për të drejtat televizive, RAI ka mposhtur konkurrencën e Mediaset, duke ofruar 35 milionë euro në sezon (përfshirë edhe Superkupën e Italisë) për periudhën 2018-21, 12 milion më shumë në krahasim me trevjeçarin e mëparshëm. 

Në këtë mënyrë, Lega e Serisë A ka pasur mundësin të rrisë buxhetin e shpërblimeve për ekipet pjesëmarrëse. Duke marrë parasysh turnet paraardhëse, nga faza e 1/8-ave, fituesja e Kupës arkëton 5,3 milionë euro nga të drejtat televizive. Më pas janë të ardhurat nga shitja e biletave, që duhet të jenë rreth 1,6 milionë euro. 

Lazio ka siguruar edhe sfidën kundër Juventus-it për Superkupën e Italisë, që dërgon në arkat e klubit 2 milionë euro të tjerë, që mund të bëhen 3,3 në rast se do të luhet përsëri në Arabinë Saudite. Duke mbledhur tre zërat (të drejtat televizive, biletat dhe çmimi për Superkupën) arrihet në 9-10 milionë euro. 

Nuk duhet harruar as kualifikimi direkt në fazën me grupe të Europa League, që garanton 10 milionë euro të tjerë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit