Kupa e Shqipërisë / Gjysmëfinalet e para luhen sot, pritet “luftë”

24 Prill 2019
10:11
Alfred Lleshi
back button

Kupa e Shqipërisë do të luajë gjysmëfinalet e para ditën e sotme, prej orës 16:00. Kompeticioni i dytë kombëtar për nga rëndësia ka mbërritur në pikun e vet, me katër skuadra që synojnë finale dhe trofeun, i cili shërben edhe për të shkuar në Kupat e Europës. Në letër nuk ka favoritë në përballjet e përftuara nga shorti i hedhur më 16 prill, ndërkohë që Skënderbeu ka specifikën e veçantë se është fituesi në fuqi. 

Pra, kuqebardhët e Orges Shehit do të bëjnë çmos që ta mbrojnë “kurorën”, në kushtet kur i kanë “larë duart” me titullin kampion. A do ta lejojë këtë Kukësi, që po ashtu e shikon Kupën e Shqipërisë si mundësinë e fundit për të fituar një trofe? Kjo mbetet të vendoset në fushën e blertë, duke nisur nga sot, në “aktin” e parë, që do të luhet në Kamëz. 

Verilindorët duken pak më të qetë, sepse i kanë të gjitha mundësitë ta kapin Europën edhe përmes kampionatit, ndërsa korçarët duhet të presin sy e veshë nga CAS i Lozanës, nëse do ta heqë apo jo pezullimin 10-vjeçar, të dhënë nga UEFA kundër tyre. Pavarësisht qasjes aktuale të dy skuadrave, ky është një duel mes kampionëve dhe nënkampionëve të vendit në fuqi, ndaj edhe pritet të ketë emocione e spektakël. 

Në çiftin tjetër vihen përballë dy skuadra, që ende luftojnë për mbijetesë në Superiore. Luftëtari do të presë Tiranën në Gjirokastër, me synimin për të hedhur një hap drejt finales së Kupës. Natyrisht, duke shfrytëzuar edhe mbështetjen e tifozëve dhe faktorin-fushë, që në futbollin tonë ka ende rëndësi të konsiderueshme. Bardheblutë, nga ana e tyre, vijojnë të mos ngjiten në lartësinë e emrit dhe historisë që kanë bërë ndër vite. 

Pozitat fundore në klasifikimin e kampionatit e ka ngushtuar lakun për Ardian Memën dhe të tijtë. Dalja nga Superiorja është një makth i freskët, ndaj duket se evitimi i një tragjedie të dytë është objektivi kryesor. Sidoqoftë, nëse kalohet ngërçi psikologjik dhe presioni i shtuar, veçanërisht pas humbjes së fundit me Kukësin, 24 herë kampionët e vendit mund të pretendojnë finalen dhe, pse jo, trofeun e Kupës së Shqipërisë. 

Një rezultat sa më pozitiv në transfertën gjirokastrite, ndoshta duke shënuar gol në fushën kundërshtare, ditën e sotme, do t’iu krijonte komoditet për kualifikim në gjysmëfinalen e kthimit kryeqytetasve. Gjithçka duket e hapur, gjithsesi, po të kemi parasuysh se “viktimë” e bluzinjve gjirokastritë në raundin e kaluar ishte Partizani. Pra, sinjalet nga Luftëtari janë dhënë.  

Kujtojmë se gjysmëfinalet e kthimit të këtij kompeticioni do të luhen më 8 maj, ndërsa finalja është planifikuar për më 2 qershor. Stadiumi i finales nuk është përcaktuar ende.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit