Kupa e Shqipërisë, ja katër çiftet e raundit çerekfinal të marsit

6 Shkurt 2019
15:50
Alfred Lleshi
back button

U luajtën sot ndeshjet e kthimit të turit të dytë (1/8 finale) të Kupës së Shqipërisë. Pati bollëk golash, por jo ndonjë surprizë. Vllaznia nuk ia doli të përparojë në çerekfinale në “kurriz” të Kamzës, pavarësisht emrit që ka, duke mbetur në vijim të sezonit me vetëm “një kungull nën sqetull”, ngjitjen në Superiore. Tirana është kualifikuar mes drithërimash në Vlorë, duke siguruar përplasjen me Laçin në çerekfinale të këtij kompeticioni. Partizani nuk ka pasur shumë punë me krutanët, duke shkuar në raundin tjetër, ku do të sfidojë Luftëtarin. 

Kukësi nuk e ka pasur të lehtë me fierakët e Kategorisë së Parë, megjithatë e sheh veten në çerekfinale. Kundërshtari i radhës do të jetë me shumë potencial, me ambicie për t’i shkuar deri në fund kësaj gare, sepse synon Kupat e Europës. Fjala është për Teutën e Bledi Shkëmbit, e përforcuar ndjeshëm në merkaton e janarit. Sfida e katërt e turit vijues të Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më 13 dhe 27 mars, është ajo mes Kamzës dhe Skënderbeut. 

Sikurse duket, tashmë nuk ka më “shëtitje” për askënd, por për prova të vërteta. Ndoshta “demat e kuq” dhe “ujqërit e dëborës” janë pak më të favorizuar, duke ditur se kundërshtarët e tyre luftojnë për mbijetesë në kampionatin e Superiores, ndaj vështirë se do të kenë energji për t’i shpenzuar ato në dy drejtime. 

Ndeshjet çerekfinale, 13 mars dhe 27 mars:
TEUTA-KUKËSI
TIRANA-LAÇI
KAMZA-SKËNDERBEU
PARTIZANI-LUFTËTARI

Lajme të tjera

Lajmet e fundit