U hodh sot shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Përmes përzierjes së goglave, në prani të përfaqësuesve të katër klubeve ende në garë, FSHF ka përvijuar vijimin e këtij kompeticioni, i dyti për nga rëndësia në futbollin kombëtar.
Kujtojmë se veç trofeut, fituesi shkon direkt edhe në Kupat e Europës. Çiftet e përftuara janë Vllaznia-Egnatia dhe Tirana-Teuta. Tri nga këto skuadra kanë provuar ta fitojnë Kupën e Shqipërisë, më shumë se askush tjetër Tirana, 16 herë; pastaj Vllaznia me 8 herë dhe Teuta me 4 herë.
Sikurse duket, debutuese në këtë raund është Egnatia e Rrogozhinës. Gjysmëfinalet, me sistemin vajtje-kthim, do të luhen më 26 prill dhe 11 maj, ndërkohë që finalja e madhe është fiksuar për më 1 qershor 2023. Stadiumi I finales mbetet për t’u përcaktuar, në varësi edhe të dy skuadrave që do të luajnë në të.