Kupa e Shqipërisë, Studenti nuk shkon në Shkodër, ja 4 ekipet gjysmëfinaliste

23 Janar 2019
19:14
Telesport
back button

Janë luajtur sot pasdite ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra (në këtë fazë luhet me tek ndeshje). Në fakt, janë luajtur vetëm 3 nga 4 ndeshjet e planifikuara, pasi takimi Vllaznia-Studenti nuk u zhvillua. Skuadra e Studentit nuk ka udhëtuar në Shkodër, ndaj skuadra vendase e ka fituar aforfe takimin, me rezultatin 20-0, duke shkuar mes 4 ekipeve më të mira.

Nuk ka patur asnjë surprizë në tri ndeshjet e tjera të luajtura sot, ku kanë triumfuar skuadrat vendase. Flamurtari kampion mposhti pa shumë mund 92-80 Elbasanin në Vlorë, një ndeshje e dominuar në shumicën e kohës nga basketbollistet vendase. Epërsia e ekipit bregdetar ishte e madhe, ndërkohë që përpjekjet e Elbasanit nuk dhanë rezultat, duke u eliminuar.

Në gjysmëfinale shkojnë edhe dy ekipet “Tirana”, që kanë fituar ndaj rivaleve. Sh.K.B.Tirana mundi me lehtësi 74-54 Skënderbeun, ndeshje që ishte një formalitet për bardheblutë, superiore në parket karshi rivaleve. Pa probleme fiton edhe Sh.B.Tirana, që mundi në kryeqytet rivalet e Apolonisë, sfidë që ishte më së shumti një stërvitore për lojtaret bardheblu.

Nesër do të luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për meshkuj (3 nga 4 takimet e planifikuara), një fazë ku do të luhen disa takime interesante. Ndërsa javën e ardhshme, pritet që FSHB-ja të hedhë shortin e gjysmëfinaleve, që do të jetë short i lirë.

Sh.K.B.Tirana – Skënderbeu, 74-54

Sh.B.Tirana – Apolonia, 109-92

Flamurtari – Elbasani, 92-80

Vllaznia – Studenti, 20-0 (s’u paraqit Studenti)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit