Kur zemra ndahet më dysh / Arsenali festonte, Petr Cech shikonte penalltitë e Chelsea

10 Maj 2019
14:27
Alfred Lleshi
back button

Do të luajë veriu kundër perëndimit të Londrës, në finalen e Ligës së Europës. Kjo përballje u përftua pas ndeshjeve të mbrëmshme, kur Arsenali dhe Chelsea rezervuan vendin e tyre në finalen e Bakut, në Azerbajxhan. “Topçinjtë” e patën më të lehtë me Valencian, të cilën e mundën edhe në shtëpi 4-2, duke vulosur rezultatin total 7-3. Blutë e Sarrit vuajtën shumë përballë Eintracht Frankfurt, edhe pse kishin barazuar 1-1 në Gjermani. 

Edhe në “Stamford Bridge”, në gjysmëfinalen e kthimit, u regjistrua ky rezultat, gjatë kohës së rregullt, por edhe shtesës prej 30 minutave. Kësisoji, u desh goditja e penalltive për ta prishur barazpeshën. Chelsea siguroi finalen së këndejmi. Nga Arsenali, njëri nga lojtarët ishte më i interesuari për të mësuar se çfarë ndodhte në Londër, afër mesnatës. Fjala është për Petr Cech, portierin që kaloi 11 sezone në “Stamford Bridge”, që sapo e kishte ndihmuar Arsenalin të arrinte në finale.

Në vend që të festonte, apo të freskohej me diçka, si pjesa tjetër e skuadrës, pas suksesit të vet, ai e kishte mendjen te “drama” e Chelsea. Në fakt, ai ishte aq i dëshpëruar për këtë, sa gjeti mundësinë përmes një celulari të dikujt tjetër për t’i parë goditjet e penalltive në “Stamford Bridge”, në zonën e përzier të stadiumit “Mestalla”.

Ndeshja finale e Bakut do të jetë tepër emocionale për portierin çek, sepse ka luajtur me të dyja skuadrat, por edhe për shkak se në moshën 36-vjeçare, ai do të tërhiqet nga futbolli. Kjo do të jetë ndeshja e fundit, në të cilën shpreson të fitojë edhe trofeun e fundit në karrtierën si futbollist aktiv.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit